DURRËS, 5 mars 2015 –  Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka përfshirë në mëngjesin e së enjtes, më 5 mars 2015, rajonin detar të Durrësit. Sipas parashikimeve situata meteorologjike do të jetë e njëjtë edhe gjatë orëve në vazhdim. Për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar trageti “Claudia Prima” që mbërriti nga Bari (Itali) është ankoruar me vështirësi rreth orës 9.15. Rreth 40 minuta më vonë është ankoruar edhe trageti “Bari”, njoftoi zyra e shtypit e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD). Në akuatorium veprimtaria përpunuese është ndërprerë për disa orë radhazi për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Tri nga anijet kanë sjellë mallra rinfuzo, si çimento, kripë dhe uré, ndërsa një tjetër po shkarkon paleta me mallra ushqimore. Paradite të gjitha anijet e kanë ndërprerë procesin e përpunimit, ndërsa po monitorohen kushtet e motit për orët në vazhdim (shih poshtë raportin ditor të anijeve të mallrave dhe hartën e portit ora 11:30).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, reshjet e shiut që do të intensifikohen

gjatë ditës “do të shoqërohen me erë të vrullshme që herë pas herë do të fitojë intensitet deri në 25m/sek kryesisht në zonat bregdetare dhe ku do të shoqërohet me valëzim të forcës 7 dhe 8 në det të hapur me lartësi vale deri në 7 m”.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah. Kontribuoi me foto g. k./