DURRËS, 7 korrik 2013 – Në qytetin bregdetar të Durrësit, edhe këtë vit motorrat e ujit duket se do të jenë një shqetësim për turistët që kanë zgjedhur të pushojnë në plazhet e këtij qyteti.  Njësite vendore që kanë nën administrim zonat bregdetare, siç është bashkia Durrës, Komuna Rrashbull, Golem, Ishëm e Katund i Ri, ende nuk kanë përcaktuar vendbazimet në të cilat do të lejohen të lundrojnë motorrat e ujit, apo edhe mjete të tjera motorrike lundruese. Mjafton një vëzhgim i shpejtë në plazhet e Durrësit e Golemit dhe konstaton se këto mjete motorrike,  janë  të parkuar në rërën e bregdetit edhe pse vendbazimet, nuk janë vendosur ende.

Lidhur me këtë shqetësim, i cili ka shoqëruar prej vitesh pushuesit që frekuentojnë plazhet e Adriatikut, prefekti i Durrësit, Genc Juka, në të vetmen mbledhje të organizuar për turizmin, që prej marrjes së detyrës, kërkoi që njësitë vendore të përcaktojnë vendbazimet, me qëllim respektimin e distancës që duhet të lëvizin motorrat e ujit. Në të njëjtin takim, përfaqësuesi i bashkisë së Durrësit Besnik Kërtusha, garantoi se motorrët e ujit, do të lundronin  vetëm në zonën detare të Currilave dhe të Kallmit, duke shmangur rrezikun e dëmtimit të pushuesve në plazhin publik.

Ndërsa nga ana e kryetarit të Komunës së Rrashbullit Hysen Gashi, si dhe kryetarit të Komunës së Ishmit Sulejman Ibrahimi, u fol se do të përcaktohen vendbazimet dhe zonat e lundrimit  në plazhet e Shkëmbit të Kavajës si dhe në ato të Rrushkullit, Shën Pjetrit e në plazhin e Gjirit të Lalzit. Por, krahas kësaj deklarate, njësitë vendore nuk janë shqetësuar për të vendosur vendbazimet ashtu sikurse ligji i ngarkon, duke i’u mohuar të drejtën e një pushimi të sigurtë personave që frekuentojnë plazhet gjatë stinës së nxehtë të verës. Në një situatë të tillë ku ende nuk po merren veprime konkrete, pushuesit ndjehen në rrezik .  Drejtuesit e motorrave  nuk e kanë problem të lundrojnë në det e të shkaktojnë shqetësim e pasiguri për jetën e frekunetuesve të plazhit. 

Fenomeni kriminal u trajtua gjërësish nga media,  vit pas viti,  për shkak të aksidenteve të shumta deri me pasojë humbjen e jetëve,  por duket se as kjo nuk ka bindur institucionet të ndërmarrin hapa konkrete. Të gjendur të vetëm në zbatimin e detyrës, drejtues të policisë së Kufirit në Durrës, pohojnë se do të bllokojnë çdo mjet lundrues që nuk disponon dokumentacionin e duhur dhe nuk zbaton ligjin përsa i përket sigurisë së pushuesve,  por nuk garantojnëparandalimin e ngjarjejeve të rënda, apo monitorimin në kohë të plotë të çdo mjeti lundrues që del në det. 

Motorrët e ujit arrijnë shpejtësi deri në 90 milje në orë dhe sipas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare, lëvizja e tyre në zonat turistike duhet të jetë e monitoruar dhe e kontrolluar nga njësitë e qeverisjes vendore dhe nga një sërë institucionesh.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/