Pamjet filmike të xhiruara paraditen e sotme nga “DurrësLajm” pranë katit nëntokë ku ndodhet mozaiku i Meandrit, monument i kategorisë së parë, dëshmojnë faktin se pavarësisht rizbulimit të tij në muajin qershor, ai mbetet i pa aksesueshëm për turistët dhe vizitorët.

Hyrja e katit nëndhe që të çon për tek mozaiku është e rrethuar me inerte dhe aksesi në brendësi të tij është thuajse i pamundur.

Megjithëse në hyrje të katit nëntokë shkruhet “Rrënojat e ndërtesës me mozaik, monument i kategorisë së parë” pak kujt mund t’i shkojë në mendje se aty ndodhet një nga pasuritë e shumta të trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar.

Mozaiku u rinxorr në dritë në muajin qershor, gjatë rikonstruksionit të një pallati në lagjen nr. 11 të qytetit.

Në atë kohë, Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se i gjithë kati ku ndodhet mozaiku është riparuar, është kryer largimi i ujërave dhe është bërë pastrimi i plotë dhe dezinfektimi. Njëkohësisht ajo apeloi pêr spostimin e tij.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kemi kërkuar të realizohet zhvendosja e këtij mozaiku drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që ai të vizitohet nga qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë qytetin tonë sepse ai është një aset tjetër më vlera të mëdha arkeologjike i Durrësit”-, shkruante Sako në një postim në rrjete sociale më 25 qershor.

Por siç duket edhe në këto pamje filmike, mozaiku me vlera të rralla, vijon të mbahet në kushte aspak të përshtatshme për ruajtjen e tij, ndërkohë që askush nuk mund ta shohë dhe admirojë nga afër.

M.B.