Mozaiku i Meandrit prej një viti është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë duke u marrë në mbrojtje nga Ministria e Kulturës. Hartës së monumenteve të kulturës në Durrës iu shtua objekti me vlera të rralla arkeologjike, i cili prej 10 vjetësh qëndronte i zhytur në plehra dhe baltë, në themelet e një pallati në lagjen nr.11, ku dhe u zbulua.
Në ditën kombëtare të trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ka zhvilluar një sërë aktivitetesh duke u përqëndruar në evidentimin dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Drejtori i kësaj drejtorie, Ledion Lako, është shprehur se gjendja e mozaikut të Meandrit pas zbulimit nuk ishte e përshtatshme për të realizuar vizita, pasi themelet e pallatit ishin mbushur me inerte dhe mbeturina të shumta.
“Drejtoria rajonale zbatoi një projekt për pastrimin dhe krijimin e terrenit për t’u bërë i vizitueshëm ky mozaik”, tha drejtori Lako.
Mozaiku i Meandrit, i zbuluar para 10 vitesh në lagjen nr. 11 të qytetit bregdetar, tashmë është hapur për vizitorët pas rikonstruksionit të mjediseve poshtë pallatit ku u zbulua.
Mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit, ose të diellit në lëvizje, në formën e kryqit të thyer. Mozaiku u zbulua në vitin 2005, gjatë gërmimeve për ndërtimin e një pallati. Ai ka një sipërfaqe prej 7 metrash katrorë, i punuar në teknikën bardhë e zi. Për promovimin e këtij monumenti, në mjediset e tij, është realizuar edhe shfaqja “Muzat në Epidamn” me regji të Adelina Muçës.





