Shqipëria nuk merr pjesë në Rusi me ekipin kombëtar, pasi nuk ia doli dot të kualifikohej. Por Shqipëria po kontribuon jo pak në këtë Botëror duke ushqyer tifozë e ekipe me produktet e saj që shkojnë nga fusha e Myzeqesë.

Bëhet fjalë për pataten e stinës, bostanin dhe pjeprin. Në treg nuk ka asnjë kokërr patate, pasi e gjithë patatja është grumbulluar në Lushnjë nga kompanitë ruse të cilët e eksportojnë drejt vendit të tyre. Edhe bostani, shalqiri e karrota në sasi më të vogla, por rusët nuk kanë lënë asnjë patate për shqiptarët këtu.

Të gjithë durrsakët që i janë drejtuar markatës së fruta perimeve këto ditë, kanë ndeshur me një fenomen të rrallë. Në treg mungon patatja e vendit, madje edhe ai produkt që gjendet është me çmimin minimal 130 lekë/kg. Jo vetëm që mungon në sasi, por edhe cilësia që gjendet është më e dobëta për momentin.

Tregtarët e Durrësit, të cilët i janë drejtuar këto ditë tregut të shumicës në Lushnjë, ku bëhet edhe furnizimi nga fushat e Myzeqesë, janë kthyer bosh. I gjithë produkti është blerë nga kompanitë ruse, të cilat e marrin mallin me shumicë direkt nga fermerët.

Kompanitë nga Rusia, përveç të gjithë sasisë së patates së Lushnjës, sytë i kanë drejtuar edhe nga bostani e pjepri, ndërsa çmimet vijojnë të mbeten shumë të larta për stinën për këto dy fruta.

Kampionati Botëror i Futbollit që po mbahet në Rusi ka rritur në masë të madhe edhe kërkesën për produkte ushqimore. Tifozët nga mbarë bota që kanë shkuar aty, kanë edhe kërkesat e tyre në këtë drejtim. Padyshim që kjo i ka bërë mirë Shqipërisë që edhe pse nuk merr pjesë në Botërorin e Rusisë me ekipin kombëtar, merr të paktën me patate.

Tregtarët thonë se fitimet e të gjithë fermerëve të Lushnjës këtë vit janë shumë të mëdha, pasi nuk u ka mbetur asnjë kg patate e karrotë.

K.H.