Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, MuZEH Lab në Durrës ka hapur dyert për një ekspozitë të veçantë, atë të jorganëve.
Një aksesor që nuk mungon në çdo familje, por që zhvillimi i teknologjisë ka bërë që thuajse të humbë tradita e punimit të dikurshëm.
Për themeluesen e MuZEH Lab, Dorina Xheraj-Subashi, kjo ekspozitë është një kthim pas në kohë për të gjithë qytetarët dhe turistët e huaj që kërkojnë të njohin më nga afër këto punime artizanale dhe traditën e familjeve durrsake,
Një ekspozitë në dukje e thjeshtë, por që mbart në vetvete një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen e traditave të dikurshme dhe njëkohësisht të historive familjare që janë të lidhura me jorganët.
“Ne e gjetëm me vend të sjellim jorganin, jo vetëm si një objekt që i përket familjeve shqiptare, por përmes tij të kuptonim pak format, dekoracionet, marrëdhënien e familjeve me një objekt kaq domethënës për ne”,- thotë themeluesja e MuZEH Lab.
Së bashku me jorganët e ngjyrave dhe përmasave të ndryshme, Dorina kishte menduar të sillte në vëmendjen e vizitorëve edhe disa nga fjalët dhe proverbat popullore të lidhura me këtë aksesor si: “Puna e rinisë, jorgan i pleqërisë”, “Për një plesht, djeg jorganin” etj.
Qëllimi kryesor i muzeve është ruajtja dhe ekspozimi i objekteve të së kaluarës, njohja e brezave të rinj me traditat e dikurshme, më zhvillimin ekonomiko-social të shoqërisë në vitet dhe shekujt e mëparshëm.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve shërben si platformë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rolin që luajnë muzetë në zhvillimin e shoqërisë aktuale.