Muzeu Arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. I ndërtuar mbi bazën e një projekti të hartuar që në vitin 1982, ai është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh, që drejtoheshin me pasion dhe kompetencë nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi.

Ishte meritë e arkeologut të shquar Toçi, krijimi i këtij muzeu në vitin 1951, e më pas edhe zbulimi i monumenteve të njohura, si: amfiteatri antik (1966), termat romake (1963), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (1959) dhe ai i hipokampit (1947), e plot monumente të tjera në qendër dhe në periferi të qytetit. Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër, në vilën pranë shëtitores “Taulantia”, u zhvendosën në vitin 2002 në muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njëjtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës ndodhen rreth 2 100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4 të erës sonë.

Një projekt që zgjati gati 20 vjet dhe që më në fund i dha qytetit antik atë që meritonte prej kohësh: një hapësirë muzeale për ekspozimin e qindra e mijëra objekteve, dëshmi e një trashëgimie të pasur kulturore, sociale dhe ekonomike të pandërprerë në shekuj. Sidoqoftë projektet për rivitalizimin e katit të dytë dhe të tretë, ku duhet të vendoseshin të gjitha objektet e zbuluara dhe që datojnë në periudhën mesjetare vazhdojnë të mbesin në sirtarët e institucioneve të monumenteve e të arkeologjisë në Tiranë.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit kulturor dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.

Një vemendje më e madhe ndaj këtyre burimeve të rëndësishme për qytetin do t’i kishte dhënë muzeut dhe objekteve të tjera historike dhe arkeologjike në Durrës shifra të larta vizitorësh, njëlloj si Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, i cili çdo vit mirëpret rreth 100 mijë vizitorë.