DURRËS, 14 janar /ATSH-Gëzim Kabashi/. – Muzeu arkeologjik i Durrësit do të jetë i mbyllur edhe për disa muaj, ndërsa në oborrin e tij po vazhdojnë punimet për instalimin e ndriçuesve të rinj.
“Kjo është pjesa e fundit për realizimin e projektit të rikonstruksionit të godinës”, tha për ATSH-në Keidi Sejdini, drejtore e drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare, duke shtuar se muzeu do të jetë funksional kur të vendosen eksponatet e objekteve arkeologjike. Gjithçka do të kryhet sipas një platforme shkencore të përgatitur nga specialistët arkeologë dhe historianë të periudhës së antikitetit dhe të mesjetës së hershme.
Sipas drejtores Sejdini, pritet edhe lëvrimi i një fondi për vënien në funksion të sistemit të kondicionimit të godinës. Në projektet afatgjatë për muzeun arkeologjik parashikohet edhe ngritja e një godine, e cila do të shërbejë për restaurimin e objekteve si dhe për leksionet e studentëve të kësaj dege. Ajo shtoi se amfiteatri antik dhe muzeu arkeologjik i Durrësit bëjnë pjesë në prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe përcaktimi i buxheteve do të qartësojë edhe zgjidhjet përkatëse.
Rikonstruksioni i muzeut arkeologjik më të madh të vendit nisi në shtator të vitit 2011, por punimet u ndërprenë disa herë për shkak të një paqartësie në pronësinë e truallit në pjesën e pasme të oborrit, si dhe në vështirësitë e hasura për transferimin e fondeve të strehuara prej vitesh në katin e tretë të godinës. Muzeu arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. Ai u përurua në vitin 1951 në një godine dykatëshe në shëtitoren që mban sot emrin “Taulantia”. Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër, u zhvendosën në vitin 2002 në Muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njejtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës në fillim të rikonstruksionit ndodhen rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.
Muzeu arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.





