DURRËS, 26 shtator 2013 – Një sallë koncertore origjinale në galeritë ku gladiatorët prisnin të ndesheshin për jetë a vdekje në arenë. Siç ka njoftuardurreslajm.com, të mërkurën, më 25 shtator, Durrësi ka shpalosur në mbrëmje një mjedis të ri koncertor në amfiteatrin antik të qytetit, ku ka nisur edicioni i 8-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës së Dhomës. Serinë e koncerteve e hapi trioja Vienna Mozart. Irina, Daniel dhe Diethard Auner, instrumentistë në piano, violinë dhe violonçel interpretuan Trio op. 21 të kompozitorit çek Antonin Dvorzhak (Dvořák, 1841-1904), katër kohët e të cilit u përcollën mjeshtërisht për dëgjuesit e pranishëm në galerinë e amfiteatrit, thotë eksperti i artit Gëzim Kabashi. Instrumentistët austriakë, që punojnë së bashku që nga viti 1991, bënë një interpretim të lirë dhe të pazakontë muzikor. Në pjesën e dytë trios austriake iu bashkuan instrumentistët shqiptarë Arjan Paço në violë dhe Arben Basha në kontrabas. Vepra instrumentale Trout Quintet ose sikurse njihet ndryshePiano Quintet in A major nga kompozitori austriak gjenial Franc Shubert (Franz Schubert, 1797-1828), që e shkroi në moshën 22 vjeç, krijoi një atmosferë të veçantë për forcën interpretuese dhe sigurinë e tingujve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





