Durrës, 2 prill 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka qenë i pranishëm në mbjelljen e disa pemëve dekorative në lagjen nr.4, përgjatë rrugës “Egnatia”. Këto pemë, të llojit dushk, janë blerë në sajë të kontributit financiar të myftinisë së Durrësit ndaj në aktivitetin e organizuar me këtë rast së bashku me kryebashkiakun Dako ka qenë i pranishëm edhe myftiu i Durrësit Redi Quku. Kjo nismë e myftinisë së Durrësit për të dhënë kontributin e saj në gjelbërimin e qytetit është mbështetur fuqishëm nga ana e Bashkisë dhe kryebashkiaku Dako.
Dako deklaroi gjatë aktivitetit se pushteti lokal në Durrës do t’i mirëpresë dhe mbështesë të gjitha nismat për gjelbërimin e qytetit. Nga ana tjetër, Dako deklaroi se ky do të jetë viti i investimeve të mëdha për qytetarët e Durrësit.
“Dua ta nis me një falenderim për komunitetin musliman për këtë dhuratë që i bën qytetit të Durrësit, dhuratë që ne e vlerësojmë shumë, jo vetëm nga ana materiale, por edhe për mesazhin që përçon tek qytetarët si dhe tek bizneset dhe cilido tjetër që t’i bashkëngjiten kësaj nisme në të mirë të qytetit dhe publikut. Ne do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për shtimin e gjelbërimit në sajë të investimeve të tjera, do të asfaltojmë rrugë e do të mbjellim pemë të tjera. Ky vit do jetë vit i investimeve të mëdha që bashkia do të bëjë për qytetarët e Durrësit”, – tha Dako.
Nga ana e tij myftiu i Durrësit, Redi Quku, deklaroi se komuniteti musliman po jep kontributin e tij në të mirë të qytetit bregdetar.
“Jemi këtu për të dhënë kontributin modest për shtimin e hapësirave të gjelbërta të qytetit dhe e konsiderojmë detyrë parësore, përveç detyrave të tjera. Do të doja të falenderoja kryetarin e bashkisë për asistencën dhe ndihmën e tij në këtë proces. Ky është një donacion i besimtarëve të qytetit që na e besuan për ta përdorur për këtë qëllim dhe ky është vetëm fillimi, pasi nisma të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”,- tha myftiu Redi Quku.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





