DURRËS, 25 nëntor 2014 –  Durrësi, duke qëndruar në mesin e artë të rezultateve të maturës shtetërore, arriti të nxjerrë në TOP-8 të Shqipërisë gjimnazin me traditë, sikurse është “Naim Frashëri”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Linditë Nikolla, gjatë paraqitjes së raportit publik të maturës shtetërore 2013-2014 tha se ai është një studim shkencor për atë që u arrit dhe se tregon më së miri atë që familjet e 46 mijë maturantëve e prekën në fund vitin e kaluar shkollor duke e përcaktuar këtë maturë si një ndër reformat më të mëdha në arsimin parauniversitar.

Shkollat më të mira sipas katër treguesve të maturës shtetërore, kanë rezultuar: “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Qemail Stafa”, në Tiranë, “28 Nëntori”në Shkodër, “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, “Ali Demi” Vlorë, “18 Tetori” Lushnje dhe “Naim Frashëri” Durrës.

“Në këtë maturë nuk ia dolën të kalonin 13.616 maturantë. Për ata dhe për të gjithë të tjerët më pas ne analizojmë sot shkaqet dhe po përcaktojmë detyrat për të ardhmen. Në nëntë vite të maturave shtetërore nuk pati asnjë raportim publik analizë si kjo, por vetëm botimi rutinë vjetor, me zero përmasë publike”, shtoi Ministrja.

Referuar raportit, “Dyrrah”-u ka parë se në lëndën e letërsisë, Durrësi, për notën mesatare të maturës shtetërore 6,79, renditet i pesti në nivel kombëtar pas Tiranës bashki me 7,39, Sarandës më 7,18, Kolonjës me 6,92, Pogradecit me 6,79. Po në letërsi, në nënkategorinë e arritjeve së maturës krahasuar me arritjet vjetore, Durrësi renditet i treti në Republikë, ku në provim, sikurse u përmend, nota mesatare ishte 6,75 nga 6,69 nota mesatare vjetore, gjë që tregon se mësuesit kanë qenë më të “shtrënguar” gjatë procesit mesatar në dhënien e notës për 48 nxënës. 

/th . m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/