Çmimi i naftës dhe benzinës në Durrës arriti shifra rekord, ashtu siç po ndodh në të gjithë karburantet në mbarë vendin.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri sot në disa nga karburantet e qytetit, nafta tregtohet me 192 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Të njëjtën rritje ka regjistruar edhe benzina, e cila tregtohet me 194 lekë, pra një rritje prej 8 lekësh.

Rritje të ndjeshme po ashtu ka pësuar edhe gazi që tregtohet me 93 lekë.

Që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur disa herë, duke arritur në rreth 192 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arriti gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 44 lekë për litër, ose rreth 30%.

Shtrenjtimi i karburanteve pason rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, fenomen i konstatuar në fund të vitit 2021, duke vështirësuar edhe më shumë jetesën e familjeve të varfëra dhe atyre me nivel mesatar ekonomik.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014.

Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.

Ndërsa nga 1 janari këtyre taksave iu shtua dhe indeksimi i inflacionit, që sipas aktorëve do të rishikohet çdo tre muaj.

Vetëm nga indeksimi i inflacionit nafta është shtrenjtuar me rreth 3-4 lekë për litër.