ANALIZË E “DYRRAH”-UT / Nisur nga në aksion policor për karburantin e peshkimit me 11 të penalizuar
· Heshtja e mediave për për bosët e mëdhenj, TEG-un dhe QTU-në, dhe shpallja e fajësisë pa prezumim të saj për “pendë-këputurit”
DURRËS, 14 dhjetor 2013 – Tre anije peshkimi kanë blerë naftë për nevojat e tyre në Malin e Zi dhe e kanë shitur, kështu nuk është hera e parë që policia e shtetit merr atributet e doganës duke shpallur një aksion të suksesshëm në luftën kundër kontrabandës së mallrave të akcizës.
Ngutja e bluve
Bie në sy që drejtoria e policisë shtetit në qarkun Durrës-Krujë njofton me ngutje qysh në orët e para të mëngjesit të së shtunës (14 dhjetor 2013) se ka finalizuar të premten, më 13 dhjetor 2013, operacionin “Dallga”, ku ka “mbytur” një kontrabandë nafte dhe vere. Madje ka bërë dhe shërbimin fotografik (shih tri fotot e bidonëve). Gjithmonë sipas bluve bregdetare, u arrestuan 8 veta; u shpallën në kërkim 2 të tjerë; u procedua penalisht në gjendje të lirë një shtetas; u sekuestruan tri anije peshkimi (“Rovana”, “Iliria” dhe “Ernaldo”), 11 automjete, 3000 litra naftë, 10 cisterna plastike, 110 arka me verë. Konkretisht u arrestuan në flagrancë për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë Zyhra V., 60 vjeçe, me arsim të lartë, e punësuar në biznes privat; Ahmet M., 30 vjeç; Ardian C, 38 vjeç, i dënuar më parë për kontrabandë me mallra që paguhet aksizë; Emiljano K., 32 vjeç, Eugen H., 37 vjeç; Irgen B., 33 vjeç, inxhinier, banues në Durrës; Arbër Ç, 26 vjeç,; Altin I., 20 vjeç; u procedua penalisht në gjendje të lirë E. O, 40 vjeç; shpallen në kërkim Fundim M., 29 vjeç dhe Kujtim B., 50 vjeç, të gjithë me banim në Durrës.
80 mijë litra naftë për dy muaj
Nga hetimi dymujor i ndërmarrë nga sektori kundër krimit ekonomik doli se të 11 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vijimësi kanë organizuar dhe realizuar kontrabandimin e sasive të konsiderueshme të naftës dhe pijeve alkoolike. Në periudhën e hetimit është provuar se janë kontrabanduar rreth 80 000 litra naftë. Këta persona funksiononin në formën e grupit të organizuar.
Skema
Nafta sigurohej në portet e Malit të Zi nga tri peshkatore, në cilat mbushnin në kapacitet maksimal depozitat e tyre, me nga 20 mijë litra naftë secila; bregëzoheshin në portin e Durrësit dhe gjatë ditëve të qëndrimit aty, nafta nxirrej në sasi të vogla nëpërmjet automjeteve të ndryshme të sajuara me cisterna dhe depozita në brendësi të tyre, për t’iu shmangur kështu doganës. Më pas karburanti çohej në disa pika të vogla shitjeje në Shijak dhe Durrës, që u goditën nga policia gjatë operacionit. Shtetasit e proceduar kishin këto role: 3 ishin pronarë të peshkatoreve, të tjerët transportues dhe shpërndarës në treg.
INTERMEXO
Dy kutet e “pushtetit të katërt”
Policia thotë se ndërkohë, paralelisht me naftën, Zyhra V. realizonte edhe kontrabandimin e pijeve alkoolike, kryesisht verë, të cilën e shiste në dyqanet e saj në qendrat tregtare TEG dhe QTU. Mediet, që publikuan lajmin , nuk përmendin faktin që 60-vjeçarja ka mjedise me qira në dy hipermarketet TEG dhe QTU. Me sa duket, paguhen nëpërmjet reklamës dhe bëjnë publike me emër e mbiemër listën e personave duke i shpallur fajtorë pa vendim gjyqi. Domethënë, “pushteti i katërt” ka dy kute: kur bëhet fjalë për bosët e mëdhenj mbahet heshtje, kurse për “pendë-këputurit” nuk zbatojnë as parimin e prezumimit të pafajësisë.
Anashkalimi i doganës
Forcat ligj-zbatuese dyshojnë në këtë kontrabandë janë implikuar autoritete të ndryshme shtetërore. Këtu mund të aludohet për doganën, kapitanerinë, administratën detare, forcën e sigurisë së autoritetit portal Durrës. Fakt është, sipas njoftimit për shtyp “operacioni u krye në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit dhe forcën e posaçme operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit”. Ndoshta, mund të ketë rivalitete ndërinstitucionale, por anashkalimi i ekspertizës së doganës dhe Antikontrabandës për vlerësimin ligjor të ngjarjes së 13 dhjetorit, çon në dyshimin për mungesën e besimit dhe korrupsionin që mund të ekzistojë në administratën detare. Nga ana tjetër, kualifikimi i veprës si kontrabandë, “ha” dhe arsyetim ligjor në bazë të Kodit Doganmor dhe Kodit Penal. Blerja dhe e naftës për bord nga peshkatorja nuk është e njëjtë me mosdeklarimin nga një anije cisternë. Pa dashur të mbrojë askënd, as të bëjë gjyqtarin apo ekspertin, “Dyrrah”-u po sjell disa përkufizime lidhur me kontrabandën. “T’i jepet Cezarit ajo që i takon Cezarit”. Në mënyrë që askush të mos mbetet peng i populizmave, spektakleve apo arbitrariteteve. Natyrisht, “Dyrrah”-u vlerëson edhe luftën që po bën policia e shtetit kundër krimit.
INFO
Përkufizime për kontrabandën
Sipas Konventës Ndërkombëtare Mbi Asistencën Reciproke Administrative për Parandalimin, Hetimin dhe Goditjen e Shkeljeve Doganore (Nairobi, 9 qershor 1977), ku aderon dhe Shqipëria, “termi “kontrabandë” do të thotë mashtrimi doganor që konsiston në lëvizjen e mallrave përmes një kufiri doganor në një mënyrë klandestine”. Kurse Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë ka këto përkufizime: kryen kontrabandë në lëvizjen e mallrave nëpërmjet kufijve tokësorë dhe në brendësi të zonave doganore, kushdo që sjell mallra nëpërmjet kufijve tokësorë, në kundërshtim me këtë Kod dhe aktet nënligjore në zbatim të tij; shkarkon ose ruan mallra në hapësirën e ndërmjetme mes kufirit dhe zyrës doganore më të afërt; gjendet me mallra të fshehura në trup, në bagazh, në pako ose në artikuj të tjerë të mbartur, ose në çfarëdo mjet transporti për t’iu shmangur kontrollit dhe/ose mbikëqyrjes doganore; largon mallrat nga zonat doganore pa paguar detyrimet që duhen paguar ose pa garantuar pagesën, me përjashtim të rasteve të përjashtimit nga detyrimi për dhënien e garancive…; nxjerr mallrat, të cilat u nënshtrohen detyrimeve të eksportit, jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në një nga mënyrat e përshkruara më sipër; mban në afërsi të vijës doganore, mallra për të cilat nuk mund të dëshmojë prejardhjen e rregullt; refuzon të paraqesë manifestin dhe dokumentet përkatëse; ngarkon, shkarkon ose transbordon mallrat, udhëtarët dhe bagazhet e tyre, pa lejen e autoriteteve doganore. Kryen kontrabandë në lëvizjen e mallrave në rrugë detare kapiteni i mjetit lundrues që sjell mallra nëpërmjet kufirit detar, në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi dhe aktet e tij nënligjore; ndërsa transporton mallra në mjetin lundrues i afrohet portit, hedh spirancën, ose ndalon në afërsi të portit pa lejen e autoriteteve doganore; ndërsa transporton mallra qëndron në vende ku nuk ka zyrë doganore, ose shkarkon ose transbordon këto mallra në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi dhe aktet nënligjore te tij; transporton mallrat pa manifestin përkatës; në çastin e nisjes nuk ka në bord mallrat që në bazë të manifestit dhe dokumenteve të tjera doganore duhet të gjendeshin aty; transporton mallra nga një doganë në një tjetër pa dokumentet përkatëse të transitit. Quhet gjithashtu kontrabandë: hedhja në konsum e mallrave të vendosura në qarkullim të lirë pasi janë importuar me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore për shkak të destinacionit përfundimtar ose të përdorimit të tyre të veçante kur autoritetet doganore vërtetojnë se destinacioni i tyre përfundimtar ose përdorimi i tyre i veçante është i ndryshëm nga ai që është përcaktuar për të përfituar përjashtimin nga detyrimet doganore; eksportimi ose importimi i mallrave të ndaluara ose që u nënshtrohen kufizimeve, me përjashtim të rasteve kur për këto mallra është lëshuar një autorizim me shkrim nga autoritetet kompetente; nëdorësia e mallrave në kundërshtim me kufizimet ose ndalimet e parashikuara në nenin 83, paragrafi (2) të këtij Kodi; heqja ose falsifikimi në çfarëdo mënyrë i numrit të identifikimit të mjetit të transportit. Konsiderohen bashkëpunëtorë në këtë shkelje dhe dënohen si të tillë, pronari i mjetit si dhe të gjithë personat që marrin pjesë në kryerjen e këtij akti, duke përfshirë edhe teknikët, dhe çdo person që nxjerr përfitime nga falsifikimi ose heqja në fjale; blerja, shitja, ruajtja, dhe nëdorësia e mallrave nga individë, të cilët kanë dijeni ose objektivisht duhej të ishin në dijeni se këto mallra janë futur kontrabandë; hedhja e mallrave, që nuk u janë nënshtruar detyrimeve doganore, nga mjeti i transportit gjatë udhëtimit në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë; importimi, eksportimi, ose shitja e sendeve me vlera kulturore kombëtare, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në këtë fushë; thyerja e vulës doganore, zëvendësimi ose ndërrimi i shenjave të tjera të sigurisë, të vendosura mbi mjetin e transportit ose mbi mallrat.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





