DURRËS, 2 qershor 2014 –Sërish porti i Durrësit në fokusin ndërkombëtar turistik, tani me anije kruizer, sikurse njoftoi “Dyrrahu” dy javë më parë, java e re nis me mbërritjen e kroçierës, prodhim francez i vitit 2000, pronë e një kompanie amerikane lundrimesh të Majemit, e mbushur me mbi 90 për qind të kapacitetit maksimal me turistë nga të dy Amerikat, Evropa, Australia e Zelanda e Re.
Bëhet e ditur se të hënën, më 2 qershor 2014, ora 7:30, në portin e Durrësit është bregëzuar kroçiera “Nautica”, e ndërtuar në vitin 2000, me flamur të Ishujve Marshall, në pronësi dhe menaxhim të kompanisë Oceania Cruises, me seli në Majemi të Floridës në SHBA.
Janë dy ture mesdhetare, i pari 12-ditor dhe i dyti 10-ditor, që është dhe sezoni i ulët në çmimet e lundrimeve turistike (3 649 dhe 3 099 dollarë për person), kur kroçiera Nautica do të qëndrojë në Durrës, 10 orë (më 2 qershor) dhe 9 orë (më 12 qershor).
Sipas të dhënave të agjencisë detare, anija turistike ka në bord 663 persona (kapacitei bartës 684 veta), 312 prej të cilëve janë amerikanë, 105 australianë, 92 kanadezë, 50 britanikë; 25 zelandezë, 21 belgë, 21 holandezë, 7 veta nga Gjermania, 7 nga Kili, 6 nga Brazili, si dhe nga 1-4 veta nga Austria, Bullgaria, Zvicra, Ekuadori, Franca, Irlanda, Lituania, Meksika dhe Suedia.
Durrësi, për herë të parë, hyn në në një destinacion të kompansië amerikane, në një tur 12-ditor (26 maj-6 qershor 2014) Marsejë (Francë)-Venecia (Itali): 26 maj (Marsejë, nisja ora 18:00), 27 maj (Saint-Tropez, 8:00-21:00), 28 maj (Livorno, 8:00-20:00 ), 29 maj (Romë / Civitavecchia, 8:00-20:00), 30 maj (Sorrento, 9:00-18:00), 31 maj (Taormina, 8:00-16:00), 1 qershor (Korfuz, 10:00-18:00), 2 qershor (Durrës, 8:00-18:00), 3 qershor (Kotor, 8:00-23:00), 4 qershor (Dubrovnik, 8:00-16:00 ), 5 qershor 05 (Koper, 12:00-23:00), 6 qershor (Venecia, 08:00), 7 qershor (Venecia).
Turistët janë shpërndarë në pikat turistike të Durrësit dhe Tiranës dhe rreth orës 18:00 anija turistike do të largohet në drejtim të portit malazez të Kotorit.
Info
Tonazhi: 30 277; gjatësia: 181 m; gjerësia: 25,46 m; shpejtësia: 18 nyja (33.34 km/orë); kapaciteti: 684-824 udhëtarë; ekuipazhi: 386
Pas tri ditësh (më 5 qershor 2014) porti i Durrësit do të vizitohet nga një tjetër kroçierë: “Sea Cloud” me flamurin e Maltës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





