Spiro Doraci u nda nga jeta, duke lënë pas trishtim për familjarët, të afërmit, miqtë, por dhe këdo që e njohu dhe e nderoi.
Emri i tij është i lidhur ngushtë me Durrësin, qytetin, që e deshi pa kushte.
Mjeku, politikani dhe njeriu i mrekullueshëm u shkrinë në një, për t’u shndërruar në një personalitet unik dhe të pazëvendësueshëm ndër breza.
E vështirë të përshkruash në pak rreshta rrugëtimin e tij, të një njeriu dinamik e plot jetë, siç ishte Spiro Doraci, mjeku i nderuar, njeriu fisnik, prindi i pashembullt, qytetari model.
Ai lindi në maj të vitit 1938.
Në moshën 13-vjeçare shkoi në Tiranë për të ndjekur programin e shkollës së mesme për ndihmës mjek, por jeta e përballi me sfida që herët.
Në moshë të re mbeti jetim, megjithatë ishte i vendosur të mbaronte shkollën që kishte nisur, edhe pse me sakrifica të mëdha.
Në përfundim të këtij cikli studimesh, ai vazhdoi studimet për mjekësi në Universitetin e Tiranës, duke dalluar për rezultatet e shkëlqyera.
Mjeku i sapo diplomuar plot ëndrra dhe vizion për të ardhmen u njoh me një vajzë të bukur dhe fisnike, e cila më vonë lidhi jetën me të.
Zeqineja nuk ishte vetëm bashkëshortja, por edhe mbështetja më e madhe e tij, krahu i djathtë, për më shumë se 60 vite.

Së bashku sollën në jetë tre fëmijë, që i bënë, jo vetëm prindër krenarë, por edhe gjyshër të lumtur, me 6 nipër e mbesa.
Një njeri i plotësuar, një model në familje, por që nuk la pas dore as mjekësinë.
Spiro Doraci u lidh ngushtësisht me profesionin.
Pas mbarimit të shkollës së lartë u emërua në Shkopet, aty ku po ndërtohej hidrocentrali i Ulzës. I vetëm u përball me vështirësi të shumta, por arriti të shkëlqejë si mjek, duke fituar respektin e të gjithëve. Në të njëjtën kohë ngriti dhe drejtoi spitalin e asaj zone.
Në vijim u transferua pranë Poliklinikës së Specialiteteve në Durrës. Për të punuar më pas në Portin e Durrësit për më shumë se 20 vite, ku edhe u specializua për sëmundjet infektive.
Kudo dalloi për përkushtimin, marrëdhëniet njerëzore, ndërthurur me humorin fin që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Spiro Doraci do të mbahet mend si mjeku human që nuk u lodh asnjëherë, duke shkuar shtëpi më shtëpi për të vizituar pacientët e tij, në borë apo shi, herë me biçikletë e herë në këmbë, natën apo ditën.
Asnjëherë nuk u lodh, duke zgjedhur të gjendej pranë kujtdo që kishte nevojë.
Një mjek që nuk ndau asnjëherë profesionistin nga njeriu, duke i ndihmuar pacientët të blinin ilaçet, edhe kur nuk kishin mundësi.
Profesionisti që nuk kurseu as kohën, as këshillat dhe as fjalën e mirë për më të rinjtë, studentët që ndoqën gjurmët e tij. Janë të shumtë brezat që sot e kujtojnë me nderim e respekt Profesorin e tyre.
Spiro Doraci e deshi jetën, progresin, por mbi të gjitha donte një të ardhme të bukur për të gjithë.
Ky ishte lajtmotivi i tij, në të njëjtën kohë edhe shtysa për të qenë një ndër nismëtarët e krijimit të Partisë Demokratike. Më vonë edhe Deputet i Kuvendit të parë pluralist në Shqipëri.

Sot mund të duket e thjeshtë, por kush ka jetuar në ato vite, kujton edhe sot sa e vështirë ishte të shfaqje mendimet hapur dhe për më tepër të ishe pararendës i asaj që do të ndodhte në vendin tonë.
Asokohe nuk munguan edhe presioni e kërcënimet për jetën e tij e të familjes, por Spiro Doraci nuk u tërhoq asnjëherë, pasi besonte te progresi, ndaj nuk u ndal përpara asnjë sfide.
Një periudhë e pashlyer në jetën e tij, aq sa edhe përpara se të ndërronte jetë, kujtoi shokët, bashkëpunëtorët, miqtë e atyre ditëve të vështira.
Ai ishte i pari që përkrahu dhe ndërmori hapa konkretë, duke nënshkruar hapjen e kishave dhe xhamive në Durrës.
Si drejtues i Shëndetit Publik bëri çdo përpjekje për të hapur qendra shëndetësore në fshatrat më të thellë të rrethit.
Njohja e gjuhëve të huaja i krijoi mundësi të bashkëpunojë me organizata ndërkombëtare për të çuar shërbimin mjekësor në çdo zonë, duke i ardhur në ndihmë çdo banori të Durrësit.
Edhe pasi doli në pension vazhdoi të punojë me të njëjtin përkushtim, duke mos harruar dashurinë për familjen dhe fëmijët.
Optimizmi i tij ishte ngjitës.
Kush e njohu Doktor Spiron do ta kujtojë gjithmonë si një burrë fisnik, të dashur, të palodhur e babaxhan.
Një njeri që i qeshte shpirti!
Ndarja e tij nga jeta na la pas dhembje dhe trishtim, por pa dyshim ne, fëmijët e tij ndihemi krenarë që Zoti na fali një baba të mrekullueshëm, një lider, një shok, një krah të fortë.
Do ta kujtojmë gjithmonë, me buzëqeshjen e tij unike, që e shoqëroi edhe në momentet më të vështira të jetës!
Do të jesh gjithmonë me ne!

Alfredi, Alma dhe Bledari