14 korrik 2015 –  Më 13 korrik 2015, ndahet nga jeta, në moshën 81-vjeçare në qytetin e Durrësit, Besnik Alibali, një nga figurat e shquara të ushtrisë shqiptare, veprimtar i shoqërisë civile, autor librash, pedagog. Ndonëse i sëmurë, ai ka komunikuar në rrjetin social Facebook deri më 7 maj 2015:

“Në Antikitet ne shqiptaret kemi prodhuar anije luftarake dhe qendra e kantierit ka qenë në veri të Bishtit të Pallës. Një kantier në Durrës që prodhonte anije deri në 500 tonë u shkatërrua pas viteve 1990. Le të ngremë një kantier, jo për anije të mëdha, por për anije të vogla turistike, jahte moderne, dhe te ringjallim traditat e kantierit detar”.

Besnik Alibali ka lindur më 4 tetor 1934. Ka pasur poste drejtuese dhe komanduese në repartet xheniere. Ka marrë pjesë në operacione të ndryshme çminimi. Është i dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Artë “Për merita të veçanta civile”. Ka punuar si pedagog në Akademinë Ushtarake. Kolonel në rezervë. Themelues dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Miqve Antiminë me seli në Durrës (anëtar i ICBL-së: The International Campaign to Ban Landmines – Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave), Çmimi Nobel për Paqe, 1997). Autor i 21 librave të botuar në prozë, dramaturgji, ese, si dhe botime shkencore në fushën e sociologjisë urbane edhe atë të sigurisë njerëzore. Anëtar Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve Xhenierë në Pension. Rotarian.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/