DURRES, 02 mars 2013 – Identifikohen dhe prangoset një nga autorët e plagosjes së oficerit të krimeve të Durrësit, Kujtim Vreka, ngjarje kjo e regjistruar mëngjesin e 20 janarit në lagjen nr.14 të qytetit. Policia e Durrësit ka bërë të ditur se është vënë në pranga 20 vjeçari Fetah Rroko, 20 vjeç, banor i lagjes nr.14 Durrës, i cili së bashku me nipin e tij 13 vjeçar, që nuk mund të ndalohet për shkak të moshës së mitur janë autorët e grabitjes së dyqanit në pronësi të oficerit të krimeve dhe plagosjes së tij.
Rezulton se i ndaluari Rroko është dënuar edhe më parë për vjedhje. Krahas zbardhjes së identitetit të grabitësve dhe plagosësve të Vrekës, policia ka zbuluar se dy hajdutët ishin autorë edhe të një tjetër vjedhjeje tek një anëtar tjetër i familjes Vreka. Dy grabitësit kishin vjedhur pak kohë më parë shtëpinë e vëllait të policit të plagosur, nga ku kishin marrë pajisje punë elektrike.
Policia e Durrësit bën të ditur se materialet në ngarkim të 20 vjeçarit Rroko dhe nipit të tij të mitur i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme policisë së rrethit Durrës.
Ngjarja
Ka qenë ora 03.30 e mëngjesit të 20 janarit të këtij viti, kur oficeri i krimeve, Kujtim Vreka, 50 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës, po kthehej në banesën e tij, në lagjen nr.14. Ndërsa afrohej pranë banesës, ai ka parë dy persona që po grabisnin në dyqanin që Vreka kishte pranë shtëpisë së tij. Pas thirrjes së tij për të ndaluar, dy të rinjtë, që mendohet të jenë adoleshentë, kanë tentuar të largohen me vrap.
Njëri prej tyre ka hedhur çantën me produktet e vjedhura dhe është larguar, ndërsa tjetri është konfrontuar me oficerin e krimeve. Në përleshje e sipër grabitësi e ka qëlluar 50 vjeçarin Vreka me mjete të forta duke i shkaktuar një frakturë të rëndë në hundë. Në pamundësi për t’i kapur grabitësit dhe i mbuluar nga gjaku, efektivi i rendit ka njoftuar sallën operative, ndërkohë që pas mbërritjes së kolegëve të tij në vendngjarje ai është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit.
Pasi ka marrë ndihmën e parë në spital, Vreka është shoqëruar për në repartin e Traumatologjisë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Oficeri i krimeve Kujtim Vreka është pjesë e forcave të policisë prej 20 vitesh. Ai ka shërbyer më parë pranë komisariatit të Tepelenës dhe Elbasanit, ndërkohë që prej disa vitesh punon si hetues pranë policisë gjyqësore të rrethit të Durrësit.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





