Maratona ballkanike 2014 në Durrës
DURRËS, 26 maj 2013- Legjenda botërore e atletikës njëkohësisht president i federatës armene të atletikës Robert Emmiyan, si dhe presidenti i Federatës Bullgare të Atletikës dhe President i Shoqatës së Federatave të Atletikës të Ballkanit Dobromir Karamarinov nderohen nga qyteti i Durrësit. Në takimin e zhvilluar në bashkinë e Durrësit merrte pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Gjergj Ruli. Kryebashkiaku Vangjush Dako dhe Emmiyan e Karamarinov kanë biseduar për realizimin e Maratonës Ballkanike të vitit 2014 në Durrës. Dako deklaroi se zhvillimi i kësaj maratone ballkanike vitin e ardhshëm në qytetin bregdetar do të promovonte jo vetëm sportin, por edhe vlerat e traditat e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Maratona ballkanike e cila gjeti mbështetjen e plotë të Bahkisë së Durrësit do të jetë një aktivitet me përmasa gjigande ku pritet të marrin pjesë mijëra atletë nga shumë vende të Ballkanit. Maratona parashikohet të nisë nga Amfiteatri Antik dhe pasi të përshkojë të gjithë bregdetin e Durrësit do të përfundojë sërish aty ku u nis. Kjo do të jetë Ballkaniada e parë, që Shqipëria pret qysh prej 60 vjetësh.
Të dy figurat e atletikës botërore ndodhen në Shqipëri në kuadër të turneut ndërkombëtar të atletikës që u zhvillua në Tiranë dhe që mban emrin e Robert Emmiyan i cili është shpallur sportisti më i mirë i shekullit për Evropën. Në këtë turne merrnin pjesë 140 sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnje Hercegovina, Rumania, Bullgaria, Armenia etj. Dy emrave të mirënjohur të atletikës botërore Robert Emmiyan dhe Dobromir Karamarinov iu akordua titulli "Nderi i Qytetit" për kontributin që japin këto dy figura jo vetëm në zhvillimin e sportit të atletikës, por edhe në promovimin e vlerave të qytetit të Durrësit, por edhe të Shqipërisë, kontribut ky që synohet të arrijë kulmin vitin e ardhshëm me zhvillimin e maratonës ballkanike në Durrës





