Durrës, 28 prill 2014 – Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës këtë të hënë u organizua ceremonia e shpërndarjes së çmimeve lokale dhe kombëtare në matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe informatikë për nxënësit më të mirë të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme publike dhe jo publike të qytetit bregdetar. 

Në një atmosferë festive dhe entuziaste në podium u ngjitën njëri pas tjetrit nxënëset dhe nxënësit më të mirë.

Vlen për t’u përmendur në këtë ndarje çmimesh i riu durrsak Gledis Kallço i Shkollës “Turgut Ozal”, që u rendit i pari ndër mijëra pjesëmarrës në Olimpiadën e Matematikës “Kanguru” të Italisë. Kallço nderoi qytetin dhe vendin e tij në këtë olimpiadë ndërkombëtare në Itali.

Ndërkohë, Rubin Deliallisi (në foton poshtë) i shkollës “Rilindja” ishte nxënësi me më shumë “trofe”. Ai është nderuar me çmim të parë në lëndën e biologjisë dhe fizikës si dhe me çmim të dytë në lëndën e kimisë në Olimpiadat Kombëtare.

Në olimpiadën rajonale, Rubini, nxënësi poliedrik me dhunti të veçanta i “Rilindjes” fitoi çmimet e para në fizikë, në kimi dhe në biologji.

Në këtë ndarje trofesh u evidentua një fakt interesant.

Dy shkollat jo publike “Turgut Ozal” dhe “Rilindja” fituan shumicën e trofeve (rreth 60%).

Shkolla “Turgut Ozal” fitoi në total 34 çmime, ndërsa shkolla “Rilindja” 26 çmime. Nga shkollat publike të qytetit bregdetar, “Naim Frashëri” mori më shumë çmime.

Ishte me të vërtetë për të ardhur keq, që një shkollë me emër të mirë e traditë të pasur, simbol i arsimit durrsak si “Gjergj Kastrioti”, të kishte aq pak nxënës fitues çmimesh në këtë sfilatë të më të mirëve të arsimit durrsak.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/