DURRËS, 26 tetor 2013 – Në kuadër të “Ditës së punonjësve të policisë të rënë në detyrë”, u zhvillua një aktivitet përkujtimor në respekt të ish-efektivëve të policisë. Aktiviteti filloi në mauzoleumin e dëshmorëve në Durrës, ku edhe prehet trupi i një prej dëshmorëve të policisë Arben Lasku. Merrnin pjesë prefekti i qarkut Roland Xhelilaj, kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako, drejtori i policisë së shtetit i qarkut Perlat Çullhaj, përfaqësues nga institucione të tjera vendore, familjarë të punonjësve të policisë të rënë në detyrë, punonjës policie, qytetarë. Më pas, të pranishmit bënë vizita në tri nga familjet e ish-punonjësve të policisë: Arben Lasku, vrarë më 13.6.1997; Fatos Xhani, vrarë  më 7 gusht 2009; Kastriot Aliaj, vdekur më 11.2.2010. Qarku i Durrësit ka 23 efektivë policie të rënë në krye të detyrës.

BASHKËPUNIM ME KOMUNITETIN

Përgjatë gjithë javës në vijim, cilësuar si “Java e dyerve të hapura të policisë” në kuadër të 26 tetorit, janë ndërmarrë aktivitete të ndryshme, kryesisht  në bashkëpunim me të rinjtë, duke e bërë këtë javë mjaft intense në bashkëpunimin polici-komunitet. Krahas vizitave në ambientet e punës së policisë qarkut dhe asaj kufitare, në dispozicion të të rinjve  janë vendosur specialistë të fushave të ndryshme, të cilët kanë bashkëbiseduar rreth çështjeve me interes të përbashkët. Në këto veprimtari, duke bashkëpunuar edhe me 3 projektet e policimit në komunitet të programit “Mbështetja suedeze për Ministrinë e Brendshme / Policinë e Shtetit” janë përfshirë nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme, të qytetit dhe periferive, në mënyrë që aktivitetet të ishin sa më gjithpërfshirëse për grupmoshat e adoleshencës dhe problematikën me të cilën përballet kjo fazë tranzitore.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/