Eshtë ndarë nga jeta komisari i policisë Elvis Kalamishi, i cili ka humbur betejën me një sëmundje të rëndë. Komisar Kalamishi, bir i një familjeje të vjetër durrsake, është përcjellë sot për në banesën e fundit, pas homazheve të bëra në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu", në Durrës.
Në homazhe kanë marrë pjesë drejtuesit e policisë, kolegë, miq e dashamirës të komisarit. Kalamishi ka ndërruar jetë pas disa operacioneve të kryera për të mundur sëmundjen nga e cila vuante. Komisari Elvis Kalamishi u nda nga jeta në moshë shumë të rem vetëm 41 vjeç, pas një karriere të gjatë në polici. Për shumë vite, ai ka punuar në komisariatin e policisë së portit të Durrësit duke nisur nga viti 2004 deri në 2014, ku ka mbajtur detyra të ndryshme, ndërkohë që nga inspektor i thjeshtë u ngrit deri në gradën e komisarit.
Në vitin 2014, Kalamishi është larguar nga drejtimi i komisariatit të Policisë Kufitare në Durrës, për t'u transferuar në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Ndërkohë, vitet e fundit derisa ndërroi jetë, Kalamishi ishte drejtor i kufirit në portin e Shëngjinit.
Për vdekjen e tij ka shkruar një status të ndjerë edhe Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim.
“Me hidhërim mësuam largimin prej nesh të kolegut tonë të nderuar, komisar Elvis Kalimishi. Një koleg i përkushtuar dhe njeri dinjitoz humbi betejën me vdekjen pas një lufte të gjatë operacionesh. Shprehim ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve dhe kolegëve të Organizatës së Policisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i Komisar Elvis Kalamishi”, – shkruan Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim.





