Një banjo e madhe publike mbi rrënojat e një godine të vjetër është bërë shqetësimi kryesor për banorët e Lagjjes 11 dhe për biznesin në Durrës. Një pjesë e çatisë së godinës trekatëshe qëndron në hava, ndërsa zona është zaptuar nga plehrat dhe era e rëndë. Godina gjendet në krah të trotuarit, 100 metra larg prej Gjykatës së Shkallës së Parë e po kaq nga Mazoleu i Dëshmorëve. U bënë disa vjet që godina vijon të shkatërrohet, duke u kthyer në burimin kryesor të shqetësimit, ndërsa tregëtarët pranë saj ankohen se u mungon klientela.
“Ne nuk na intereson nëse ka konflikte me ish-pronarët, me ndërtuesit apo me Bashkinë, ne na duhet që kjo tualet, kjo banjo publike e qëndër prostitucioni të largohet nga lagjja jonë,” – është apeli që japin banorët.
“Ata që ndërtuan ishin batakçinj, pallatin ngjitur e kanë shitur tre a katër herë deri tani. Në gjyqe janë. Por, ne nuk na intereson shumë se ç’bëjnë pronarët. Unë nuk hyj dot në pallatin tim, sepse një ditë desh më hodhën qesen e plehrave me një shishe në kokë. Do më kishin vrarë fare. Këtu i hedhin plehrat. Është tmerr se aty mblidhen të droguarit, dhe çfarë nuk bëjnë. Bashkia të marrë masa, se qyterët paguajnë taksa,” – thotë një tjetër banore.
“Këtu u prish godina e vjetër, gjysma e saj u ndërtua një pallat e gjysma mbeti kjo gërmadhë midis pallateve. Por, më shëmti nuk ka ku të shkojë, sepse gjendet në mes të lagjes. Vijnë njerëzit që do ikin në gjykatë e kthehen e këtu kryejnë nevojat fiziologjike. Sa turp! Nuk dalim dot në ballkone të shëtpisë,” – thotë një grua.