22 korrik 2015 –  Në muajin maj 2015, USAID-i (United States Agency for International Development – Agjencia e Qeverisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar) dhe Assist Impact vazhduan të zhvillojnë në Durrës kursin e trajnimit për qepje këpucësh. Numri i pjesëmarrësve është 20 (18 gra dhe 2 burra). Kursi 3-mujor synon të ndihmojë gratë e papuna në qytet dhe në fshatrat përreth të marrin aftësi teknike që të mund të gjejnë punë. Për këtë trajnim, USAID-i bashkëpunoi me Zyrën e Punës dhe drejtorinë rajonale të formimit profesional publik (DRFPP) Durrës.

Pasi përfunduan kursin 2-mujor në teori, 15 kursantë zhvilluan 1 muaj praktikë në tri shoqëri prodhimi këpucësh, me shpresën që aftësitë e marra do t’i ndihmojnë ata të gjejnë punësim të përhershëm. Ky projekt do të ndihmojë në punësimin e punëkërkuesve të papunë në këto fabrika. DRFPP-ja tha se ka falënderuar USAID-in dhe bizneset për bashkëpunimin.

Info

Sipas USAID-it, sektori i tekstilit dhe veshjeve në Shqipëri zë 45 për qind të eksportit të përgjithshëm dhe siguron punësimin e një numri të madh punëtorësh. Tani qeveria po kërkon nga kjo industri rritjen e mundësive të punësimit, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.

Pavarësisht potencialit për rritje, ekzistojnë disa vështirësi që kanë nevojë të trajtohen, si mungesa e teknikëve të kualifikuar për mirëmbajtjen e makinave qepëse. Ata pak teknikë që operojnë në treg, kanë qenë trajnuar para viteve ‘90 dhe janë shumë të kërkuar. Shumica e tyre punojnë si specialistë me kohë të pjesshme për disa shoqëri. Shoqëri të tjera, për të riparuar makina të specializuara, marrin teknikë nga vende të tjera të Evropës.

Megjithatë, jo pak programe profesionale ndiqen nga shumë persona që kanë nevojë për trajnim dhe për aftësi që të gjejnë punë. Shkollat e mesme profesionale në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe 10 qendrat e trajnimit profesional në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, janë të përhapura në mbarë vendin, disa prej tyre në qytete, pranë shoqërive që prodhojnë veshje.

Qendrat mund të ofrojnë kurse të shkurtra 2- deri 4-mujore dhe përmbajnë praktikë në vendin e punës, por ato nuk disponojnë makina qepëse e makineri, si dhe u mungon kontakti efektiv me shoqëritë e prodhimit të veshjeve që të mund të zhvillojnë kurse të tilla.

Vështirësi të tjera në industrinë e prodhimit të veshjeve në vend lidhen me konkurrencën e ashpër, sepse vendet e tjera tërheqin klientët me kostot më të ulëta, me paketën e plotë të shërbimeve që nga dizenjimi deri te shpërndarja, dhe me cilësinë e lartë të produktit. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e shoqërive shqiptare të veshjeve nuk disponojnë makineri e pajisje bashkëkohore të prodhimit, si p.sh. linja automatike të prerjes ose teknologji kompjuterike për dizenjimin dhe prodhimin (computer-aided design/computer-aided manufacturing – CAD/CAM).

Kjo asistencë është pjesë e projektit të USAID-it “Ndërtim i kapaciteteve njerëzore dhe institucionale”, i cili ka filluar në shtator 2012 dhe mbaron në janar 2016. Projekti synon të forcojë sektorin institucional, qeveritar, jo-qeveritar dhe privat në Shqipëri, teksa vendi përpiqet të kryejë reformat e nevojshme për integrimin evropian.

/th . m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/