Policia e Durrësit ka arrestuar edhe një 25-vjeçar lidhur me vrasjen e Enver Ballës në Shënavlash.
Mësohet se është arrestuar mëngjesin e sotëm 25-vjeçari, Edison Brahaj, si bashkëpunëtor në vrasje.
Brahaj, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin Esmerald Ballën, dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 62-vjeçarit.
Vihet në pranga shtetasi që ndihmoi autorin e vrasjes së babait të tij, në fshatin Shënavlash, për të transportuar trupin e pajetë duke e hedhur në një pus.
Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit E. B., 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.
Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.
Gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.
Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





