Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona, për vepra të ndryshme penale.

Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi M. A., 35 vjeç, banues në Kajro, Egjipt, pasi ka ndihmuar një shtetase të mitur, për të kaluar kufirin në portin e Durrësit në mënyrë të paligjshme, duke i dhënë pasaportën dhe lejen e qëndrimit të vajzës së tij.

Gjithashtu janë arrestuar edhe shtetasit e mëposhtëm:

E. A., 18 vjeç, banues në Krujë, pasi në segmentin rrugor Krujë – Qafshtamë, duke drejtuar mjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë janë lënduar shtetasit A. A., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, dhe K. R., i cili pasi ka marrë mjekim është larguar në banesë;

B. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin G. S., 35 vjeç, banues në Kukës, dhe si pasojë është lënduar shtetasja Gj. M., pasagjere në mjetin me drejtues shtetasin B. M., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.