Nga Gëzim Kabashi /ATSH

Durrës, 14 mars 2014 – Shoqata mbarëkombëtare e detarëve “Adrijon” i ka propozuar prej disa kohësh bashkisë së qytetit të Durrësit të shpallë “Qytetar nderi” tre nga përfaqësuesit e shquar të lundrimit: kapitenët e detit Ndoc Gjeluci, Ahmet Luli dhe Cen (Hysen) Matlija.

Kryetari i kësaj shoqate, Dashamir Janina tha për ATSH-në se me dekorimin e tyre qyteti do të fitojë një përmasë të munguar kohët e fundit; atë të vlerësimit të qytetarëve që me shumë përkushtim kryen në det të hapur pjesën më të madhe të veprimtarisë së tyre profesionale dhe njerëzore.

Gjeluci, Luli dhe Matlija kishin formime të ndryshme, por arritën t’ua përcjellin mjeshtërinë dhe profesionin e detarit dhjetëra e qindra marinarëve, që shërbyen më pas edhe si kapitenë në anijet e Flotës detare Tregtare. Por mbi të gjitha u bënë me shembullin e tyre modeli më i mirë i qytetarit dhe drejtuesit.

Ndoc Gjeluci, detar, kapiten dhe pedagog

Ndoc Gjeluci u lind në Shkodër në vitin 1911, në një familje të thjeshtë qytetare. Shkollën e kreu pranë kolegjit françeskan në qytetin e lindjes.

Më vonë, pas transferimit të familjes në Durrës, ai ndoqi shkollën 3-vjeçare për drejtimin e kapitenerive të porteve, komisioni vlerësues i së cilës në përfundim të studimeve i dha notën “Shkëlqyeshëm”. Sipas shtypit të kohës, instruktorë dhe pedagogë të kësaj shkolle ishin disa oficerë madhorë të marinës italiane.

Gjeluci ishte vetëm 18 vjeç, kur iu dha grada “toger”, ndërsa që të mos kishte pengesa formale prindët ishin kujdesur më parë t’ia ndryshonin zyrtarisht datëlindjen nga 1911 në 1908. “Gazeta “Besa” shkruante në shtator të vitit 1929 se rezultatet e mira të Ndoc Gjelucit u bënë shkak që ai të emërohej menjëherë “kapiten i kapitenerisë së portit të Durrësit”. Bashkë me punën e përditshme të drejtuesit, Ndoc Gjeluci nisi të përpilojë edhe rregulloret e para për organizimin e punës në portet e vendit tonë. Një veprimtari e vlerësuar dhe e suksesshme dyvjeçare, pas së cilës detari i ri mori jashtë radhe gradën “kapiten”.

Në shënimet e mbajtura me kujdes nga i biri, Matish Gjeluci, mësues i njohur i letërsisë, shkrimtar dhe hartues libretesh muzikore, kapiteni Ndoc Gjeluci gjatë vitit 1932-1933 ndoqi kursin e lartë të navigacionit në organizmat e marinës tregtare italiane, pikërisht në Modena, ndërsa praktikën mësimore e kreu si oficer i parë e më pas si kapiten në një anije tregtare norvegjeze.

I formuar si një detar, që bashkë me të fshehtat e detit njeh edhe sekretet e drejtimit administrativ detar Ndoc Gjeluci rikthehet në Durrës si kapiten i portit. Ditën e pushtimit fashist, më 7 prill të vitit 1939, Gjeluci largohet nga Durrësi dhe për disa muaj qëndron si ilegal në fshatrat e Malësisë së Madhe. Marina ushtarake italiane e merr në shërbim të detyrueshëm, nga ku do të largohet më vonë falë një raporti mjekësor.

Rikthehet në Shkodër bashkë me familjen, gjatë periudhës 1943-1944, kur qyteti i Durrësit u boshatis plotësisht për qëllime ushtarake nga forcat nziste.

Këtij viti i përket studimi “Lundrimi në pikpamje ekonomike”, i cili mbështetej në librat e disa autorëve të njohur italianë dhe anglezë të detarisë. Fill pas luftës, Ndoc Gjeluci emërohet si kapiten i portit të Vlorës, ndërsa në maj të vitit 1946 transferohet përfundimisht në Durrës. Kryen në të njejtën kohë detyrën e kapitenit të portit dhe atë të komandantit të repartit ushtarak të marinës që u ngrit në Kepin e Palit.

Dhjetëra studentë, kapitenët e ardhshëm

Kryetari i shoqatës së detarëve “Adrijon”, Dashamir Janina, tregon se gjatë viteve 1945-1952 kapiteni i portit Ndoc Gjeluci u bë njëkohësisht një nga drejtuesit e kurseve dhe shkollave të para të detarisë në vendin tonë. Së bashku me z. Kel Nonaj, pedagog i lëndës së metereologjisë, ata përgatitën dhjetëra detarë, të cilët morën më pas detyrat e drejtuesve të anijeve, të cilat ishin sjellë në vendin tonë më parë nga kapidanët ulqinakë.

Kam qenë me fat, pasi kapiteni im i parë ishte ulqinak, Mehmet Kotorri e quanin,- tregonte vite më parë kapidani në pension Tod Muka. Prej tij kam mësuar shumë për detin, por elementët teorikë e praktikë i kam përfituar nga kapiteni i portit, Ndoc Gjeluci, i cili organizonte kurset e para për detarët, oficerët dhe për drejtuesit e anijeve”.

Dashamir Janina kujton se si e mësoi artin e detarisë: “Së bashku me 30 moshatarë të rinj ndoqëm kursin e vitit 1952, që organizohej në godinën 3-katëshe të rrugës Tregtare, ku ndodhej për shumë vite Bar bufe “Detari”, pranë hyrjes së portit. Ndoc Gjeluci dhe Kel Nonaj ishin profesorët tanë të artit detar dhe të metereologjisë. Gjeluci kishte një personalitet të jashtëzakonshëm dhe një predispozitë të veçantë, që detarët e ardhshëm të ngulitnin në mëndje të gjitha detajet e të fshehtat e artit detar, si dhe ato të konstruksionit të anijeve,- dëshmon kryetari i shoqatës “Adrijon”.

Në këto vite Gjeluci u mëson detarëve të rinj artin e detarisë, navigacionin (lundrimin) si dhe organizon lundrimet stërvitore në të gjitha portet e brigjeve shqiptare. Pas vitit 1952, ai drejtoi të gjitha kurset si dhe leksionet në shkollën detare “Mujo Ulqinaku”, të cilat organizoheshin nga drejtoria e porteve.

I mënjanuar nga detyra e kapitenit të portit për shkak të kunatit që u pushkatua në vitin 1952 në incidentin e bombës në Ambasadën Jugosllave, Ndoc Gjeluci bëhet mësuesi kryesor i dhjetëra detarëve dhe kapitenëve të anijeve tregtare si dhe të motopeshkatoreve.

Detarë të njohur si Bujar Shedula, Maqo Treska, Jorgji Bidoshi, Tahir Hoxha, Harilla Dano, etj. janë vetëm disa nga emrat e njerëzve, të cilët u përgatitën nga Ndoc Gjeluci, duke u bërë për vite me radhë drejtues dhe detarë të zot.

Në të njejtën kohë Ndoc Gjeluci mbledh mjaft këngë folklorike detarësh, veçanërisht nga Ulqini. Ai ka gjithashtu meritën të jetë autori i librave të parë të detarisë: “Elementë të lundrimit detar”, “Arti detar” dhe “Metereologjia”.

Detarët veteranë kujtojnë me respekt pedagogun që organizonte orë të veçanta mësimi për ata që tregonin prirje dhe durim të veçantë. Bashkë me artin e detarisë ai kujdesej për formimin e tyre edhe në algjebër, trigonometri e stereometri, lëndë të cilat nuk përfshiheshin në programin mësimor, por që ishin të domosdoshme për përllogaritjet dhe praktikën e lundrimit modern.

Ndoc Gjeluci vdiq në vitin 1984, në moshën 73-vjeçare, por ai ka mbetur në kujtesën e detarëve si një mësues i palodhur dhe i pasionuar i mjeshtrisë së detit, të cilit i kushtoi gjithë jetën.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/