• “Spiunimin” në prokurori e ka bërë përfaqësuesi i PD-së, ish-deputet dhe ish-ministër i Berishës, doktor i shkencave ekonomike Bujar Leskaj, pasi ish-drejtori i portit njihej si një njeri i të ndjerit Sokol Olldashi.

DURRËS, 9 mars 2015 –  Arrestimi i dy ish-drejtuesve të portit Eduard Ndreu dhe Mehmet Borshi, kjo pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) që drejtohet nga përfaqësuesi i PD-së, ish-deputet dhe ish-ministër i Berishës, doktor i shkencave ekonomike Bujar Leskaj, ka shkaktuar alarm në degën e PD-së. Eduard Ndreu është një nga figurat qendrore të saj. Nga ana tjetër, zëra seriozë në selinë blu bregdetare e lidhin këtë ngjarje të bujshme me ndërhyrjen e SHQUP-it, pasi Ndreu njihej si një njeri i të ndjerit Sokol Olldashi.

Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj sqaroi degën e PD-së Durrës se ka kallëzuar në Prokurori ish-drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet, si dhe 4 nëpunës të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi më datë 19.05.2014 auditimin e iniciuar në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe vlerësues”. Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike-financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 01.09.2010 deri më datën 31.10.2013.

Referuar shkeljeve të konstatuara, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore, arrin në vlerën 2.35 miliardë lekë ose 16,9 milionë euro.

Shkeljet kryesore kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit në zhvillimin e procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së; zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës; procedurat e prokurimeve për investime (blerje mallrash dhe shërbimesh) si dhe zbatimin e kontratave respektive; administrimin e vlerave materiale financiare të APD-së; përfitimin e padrejtë nga ana e punonjësve të MPPT-së, si pasojë e pagesave të kryera ndaj tyre nga shoqërive të ndryshme koncensionare për hartimin e dokumentacionit të procedurave koncensionare, etj. Nga auditimi i disa prej procedurave të prokurimeve për investime si dhe zbatimin e kontratave respektive të tyre, rezultoi që hartimi i dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me operatorët fitues, si dhe zbatimi i tyre, janë kryer në kundërshtim me ligjin. Studimi i vlerës së kontratës nuk ka qenë plotësisht i saktë, në hartimin e dokumenteve të tenderit nuk janë dhënë argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri të veçantë për kualifikim, specifikimet teknike nuk janë hartuar plotësisht në përputhje me ligjet., duke rezultuar në disa raste edhe në shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë. Nga ish-drejtuesit e APD-së janë lidhur kontrata në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit. Në lidhjen e kontratave përkatëse me operatorët fitues, këtyre subjekteve u janë krijuar favore të ndryshme si paradhënie në vlera të konsiderueshme, shtyrje të afatit të fillimit të zbatimit të kontratave, etj.

Në kallëzimin e bërë nga KLSH-ja, në lidhje me kryerjen e procedurave të prokurimit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16 tonë dhe 27.5 tonë” dhe “Mirëmbajtja teknike e mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së”, trajtohen shkeljet e konstatuara në lidhje me kryerjen e amendimeve të kontratës nr. 1771, datë 14.07.2011 duke shkelur barazinë në tender; organizimin, përveç tenderit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elekrovinçave 16 tonë dhe 27.5 tonë” edhe të dy tenderëve të tjerë për pjesë këmbimi eletrike, elektronike për vinça portualë dhe shërbimin për transportin e pjesëve të eletrovinçave, nëpërmjet të cilave, në të vërtetë, synohej të realizoheshin detyrimet kontraktuese të operatorit ekonomik fitues të tenderit të parë; kryerjen e transferimit të 2 elektrovinçave (16 tonë dhe 27 tonë) për llogari të shoqërisë koncensionare, duke mos përfshirë në të vlerën prej 22 milionë e 800 mijë lekë të kryer nga APD-ja për remontin e këtyre elektrovinçave; lidhjen e kontratës nr. 483 prot, datë 17.02.2009, me numër reference 65 PH 2008, ndërmjet APD-së dhe operatorit ekonomik, me objekt “Mirëmbajtja teknike e mjeteve mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit (terma referencës), dokument mbi bazën e të cilës është zhvilluar procedura e prokurimit. Si rrjedhojë, operatori ekonomik, fitues i këtij tenderi, është favorizuar nëpërmjet dhënies paradhënie në vlerë të konsiderueshme si dhe shtyrje të afatit të fillimit të zbatimit të kontratës.

Për të gjitha shkeljet e kryera nga ish-drejtuesit e APD-së dhe nëpunësit e MTI-së (ish-MPPT), KLSH-ja ka depozituar pranë organit përkatës të prokurorisë kallëzimet përkatëse penale për konsumimin e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 248 dhe nga neni 258 i Kodit Penal. Një kopje e raportit përfundimtar të auditimit dhe materialeve të tjera shoqëruese iu dërgua ILDKPKI-së për të verifikuar ekzistencën e konflikteve të mundshme të interesit për ish-drejtuesit e APD-së në raport me subjektet koncensionare që operojnë në këtë autoritet.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”?/