DURRËS, 3 maj 2014 – Edhe ftesa kongresi komunist të grave tani në ankand, si dhe relikte të tjera.
Më 1-3 qershor 1983 në pallatin e sportit “Punëtori” (sot “Ramazan Njala”) të Durrësit është zhvilluar Kongresi IX i ish-Bashkimit të Grave të Shqipërisë (BGSH), që pati një të mirë: për të përmirësuar imazhin e qytetit bregdetar, ku nuk ishte vënë fare dorë, u bën lyerje masive me gëlqere ndërtesash, ndreqje rrugësh etj., por me aq kosto të madhe, saqë liderëve komunistë nuk u shkoi më në mendje të përdornin Durrësin për kongrese të “organizatave të masave”.
Pikërisht për këtë kongres grash u hodhën këto ditë në ankand on-line një ftesë për të hyrë, një fletëpalosje bardhezi me titull “Qendra historike dhe kulturore në Durrës”, përgatitur nga “Drejtoria e muzeumeve Durrës” (botim i ish-KQ BPSH – Këshilli Qendror i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë).
Por kjo ngjarje politike pati dhe një kulmim absurditeti: fabrika e cigareve “Telat Noga” prodhoi një sasi të vogël përshëndetëse të markës “Kongresi i 9 i BGSH”!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





