DURRËS, 2 shkurt 2015 –  Dhe telashet nuk kanë të sosur për një firmë grumbullimi skrapi, që policët e Durrësit e quajnë “KEVIN shpk” (në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në Ministrinë e Mjedisit që jep leje mjedisore nuk figuron ndonjë firmë me këtë emër!).

Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se, të dielën, më 1 shkurt 2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. S. 39 vjeç, banues në Durrës, administrator i firmës së skrapit KEVIN shpk. Organet e rendit publik thonë se 39-vjeçari ka mashtruar ,duke mos i paguar shumën e 700 mijë lekëve 55-vjeçarit A. J., banues në Durrës, i cili ka punuar në këtë firmë për periudhën qershor-gusht 2014.

Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (http://www.durreslajm.com/aktualitet/durr%C3%ABs-mashtrim-me-tvsh-zbulohet-%E2%80%9Cekip%E2%80%9D-egjiptian-shqiptar-italian-skrapi), më 22 janar 2015, prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim 4 shtetas dhe 4 persona juridikë (subjekte private), të angazhuar në mbledhjen dhe përpunimin e skrapit, të akuzuar për krijimin e një skeme mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, nga e cila është vërtetuar dëmi që i ka ardhur shtetit në vlerën e mbi 23 milionë lekëve. Mes 4 firmave të skrapit, po gjykohet dhe firma KEVIN shpk.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/