DURRËS, 17 qershor 2013 – Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë Durrës, në kuadër të një hetimi të ndërmarrë që prej disa muajsh kreu ditën e premte më datë 14 qershor një goditje në drejtim të shfrytëzimit të prostitucionit, aktivitet ky i ndërmarrë në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Në kuadër të këtij hetimi policia ka filluar procedimin penal në mungesë ndaj shtetases me iniciale N.M., 25 vjeçe, banuese në Durrës.
Sipas njoftimit të policisë, bazuar në të dhënat hetimore rezulton se shtetësja me iniciale N.M., përgjatë një periudhe 3-mujore ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një shtetase 16-vjeçare, të cilës i siguronte klientelë, aktivitet të cilin kjo shtetase e ushtronte në lokale të ndryshme në lagjen Nr. 1 të qytetit të Durrësit kundrejt pagesës prej 5.000 lekë.
Për shtetasen me iniciale N.M., u bë shpallja në kërkim nga ana e policisë dhe po punohet për kapjen e saj.
Sipas policisë në vijim të veprimeve proceduriale e hetimore, në orën 23.00 të po kësaj date u krye edhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Jakov Ceka, 54 vjeç, banues në lagjen Nr. 1 Durrës, i cili është pronar i një prej hoteleve ku është ushtruar prostitucioni.
Materialet për veprat e kryera nga personat e lartëpërmendur iu përcollën Prokurorisë Rrethit Durrës për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese” për shtetasen me iniciale N.M., dhe “Mbajtje e lokaleve për shfrytëzim prostitucioni” ndaj shtetasit Jakov Ceka.





