Rikonstruksion i nisur që më 17 mars të vitit 2011, punimet duhet të zgjasnin vetëm 240 ditë, por tejkalohet dy herë
DURRËS, 19 gusht 2013 – Në pikun e sezonit turistik, në muzeun arkeologjik të qytetit turistik nuk ka turistë. Jo se nuk ka nga ata që duan ta vizitojnë, por për një arsye shumë të thjeshtë, sepse dera është e kyçur. Muzeu hyn në vitin e dytë turistik që nuk është i disponueshëm për vizitorët vendas ose të huaj, pasi muzeu është në riparim të tejzgjatur. Rikonstruksioni ka filluar që më 17 mars të vitit 2011. Mbeturinat e nxjerra nga brenda muzeut janë hedhur mbi objektet e mermerta që ndodhen në oborrin e muzeut, i cili ka marrë një pamje të mjerë nga mbeturinat dhe letrat e shumta të plasmanit, të hedhura nga punëtorët e ndërtimit që merren me restaurimin.
Në tabelën, ku bëhet me dije se po bëhet ky rikonstruksion, nuk është shënuar afati i përfundimit të rikonstruksionit, por vetëm afati 240 ditë i këtyre punimeve. Por kjo “hile” e vogël është e vështirë që të mbulohet me një tabelë të tillë, pasi edhe me këtë afat, duke iu referuar arkivave, mësohet se për rikonstruksionin e muzeut është dhënë një konferencë shtypi mbi nisjen e punimeve që me 17 mars të vitit 2011. Në orët e paradites së asaj date është dhënë një konferencë për shtyp mbi nisjen e këtyre punimeve dhe duke u nisur nga data e dhënë, mësohet me një krahasim të thjeshtë se ky afat përfundimi punimesh prej 240 ditësh, siç edhe shkruan tabela, është tejkaluar mbi 2 herë. Ndërkohë, sipas shënimeve të asaj dite, që në atë konferencë që theksuar se “meqë punimet do të realizohen gjatë sezonit turistik, do të biem dakord me firmën që punimet të mos pengojnë flukset e turistëve, që do të kenë dëshirë të vizitojnë muzeun. Ndërkaq, për herë të parë do të sistemohet edhe oborri i muzeut, i cili në një farë mënyre është transformuar në një magazinë fushore, ku janë hedhur andej-këndej objekte të ndryshme” Në këtë takim me shtypin është theksuar se “kishte kohë që fondet për mbajtjen në këmbë të këtij objekti ishin dhënë me pikatore. Pas kaq kohësh dhe muzeu ka qenë krejtësisht i pavizitueshëm”.
/ th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





