Durrës, 22 korrik 2014 – Eshtë piku i sezonit turistik, por në bregdetin e Durrësit të sheh syri më tepër tregtarë ambulantë sesa pushues. Nga një vëzhgim i bërë nga gazetari i “Panorama”, Leonidha Musai rezulton se bregdeti i Durrësit është i pushtuar nga ambulantët. Në çdo metër katror sytë të zënë më shumë gomerë, tezga e shitës ambulantë që lëvizin vazhdimisht në mes të çadrave, sesa pushues që kanë zgjedhur bregdetin e Adriatikut për të kaluar këto ditë të nxehta.
Numri i pakët i pushuesve në plazhin e Durrësit, nuk i ka frenuar aspak shitësit ambulantë ta mbipopullojnë vijën bregdetare për të zhvilluar aktivitetin tregtar jashtë çdo lloj standardi. Prej javësh plazhi publik dhe jo vetëm është kthyer në një pelegrinazh shitësish.
Një pjesë e tyre janë stacionuar në vende të caktuara, ndërsa të tjerëlëvizin në këmbë, me biçikletë, madje edhe me kafshë përgjatë gjithë bregdetit, me qëllim tregtimin e asortimenteve të ndryshme për pushuesit vendës e turistët e huaj. Këtyre të fundit u duket shqetësues fakti që shitësit ambulantë qarkullojnë dhe shqetësojnë pushuesit.
Shitësit ambulantë tregojnë se pavarësisht se lëvizin në të gjitha plazhet e Durrësit, përballen me një rënie të fuqisë blerëse, duke e lidhur këtë me numrin e ulët të pushuesve në këtë zonë bregdetare.
“Jemi të detyruar të shesim në plazh, pasi kjo është e vetmja mundësi për të mbajtur familjen. Ka një rënie të xhiros ditore, jo vetëm për mua por për të gjithë shitësit ambulantë për shkak se numri i pushuesve është mjaft i ulët. Ata pak pushues që janë nuk tregojnë interes për të blerë. Pastaj shitësit janë shtuar shumë, saqë ka më shumë shitës ambulantë sesa pushues”,tregon Astrit Gjeçi, i cili çdo ditë bën me dhjetëra kilometra në këmbë mbi rërën e nxehtë.
Të paktën 180 persona të moshave të ndryshme rezultojnë të zhvillojnë aktivitetin e tyre si shitës ambulantë në zonat turistike të Durrësit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





