DURRËS, 11 qershor 2014 – Intensifikohet puna në portin kryesor të vendit, ku brenda dy ditëve parashikohen të ngarkohen 3 anije me mallra për eksport (çimento, krom, prokate) dhe të shkarkohen 7 anije me mallra importi (nitrat, grurë, qymyr, çimento, kontejnerë).
Sipas raportit ditor të dispeçerisë së Autoritetit Portual Durrës (APD) sha, këto ditë pritet një vërshim anijesh me mbi 49 mijë tonë mallra import-eksporti dhe mbi 500 kontejnerë.
Kështu në radë ndodhet anija Majed and Randy që do të ngarkojë 6 100 tonë çimento me paleta në kalatën nr. 2; priten anijet Sider Lipari që do të ngarkojë 7 200 tonë prokate Elbasani dhe Pine 6 për 15 mijë tonë krom.
Gjithsej nga porti i Durrësit do të nisen për eksport 28 300 tonë.
Ndërkaq në terminalin turk të specializuar, në kalatën 6, po shkarkohet anija liner MSC Jilhan me 502 copë kontejnerë.
Në kalatën 4 po shkarkohet anija Haci Mehmet Kaptan me 3 200 tonë nitrat.
Bie në sy se janë tri anije me grurë importi: Sormovskiy 48 (me 3150 tonë); Amur 2515 (me 2903 tonë) dhe Navaho (me 5008 tonë); gjithsej 11 061 tonë.
Ndërkaq, edhe pse eksportojmë çimento, pritet anija Leftallah III me 5 021 çimento me paleta; kurse anija Stardale do të sjellë 1 700 tonë qymyr.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





