DURRËS, 15 nëntor 2013 – Ndonëse po bëhet rutinë kapja e drogës në terminalin e trageteve në portin e Durrësit, korrierët nga fshatrat e Tiranës dhe Durrësit nuk venë mend. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 15 nëntor 203 janë arrestuar në flagrancë Eduart A., 33 vjeç, banues në fshatin Domje të komunës së Bërxullës Tiranë dhe Ardit T. 23 vjeç me banim në fshatin Arapaj të komunës së Rrashbullit Durrës, si të dyshuar në trafikimin e lëndëve narkotike me destinacion tregun evropian. Mësohet se rreth orës 22:10, policia kufitare po ushtronte kontroll në kamionin “Man” me targa AA 711 HI dhe në rimorkion e tij me targa Acr 020. Në gomat e pasme të kamionit u gjetën 46 pako me 47 kg e 800 gram kanabis. Mjeti drejtohej nga tiranasi Eduart A., dhe shoqërohej nga arapasi Ardit T. Uniformat blu saktësojnë se kamioni ishte në pronësi të kompanisë “Tota Trans” me seli në Rrashbull. Automjeti po përgatitej të imbarkohej në tragetin “Claudia” të linjës Durrës-Bari. Pas sekuestrimit dhe ndalimit të dy shtetasve, materialet iu dërguan prokurorisë së krimeve të rënda në Tiranë. Kurse sektorët përkatës në policinë bregdetare po bëjnë hetime për identifikimin, origjinën, destinacionin dhe personat e tjerë që mund të jenë implikuar në narko-trafikun ndërkombëtar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





