Durrës. Në port përpunohen 5 anije, priten edhe 4 të tjera
· Transportuesi gjigant i mallrave rinfuso “Sider Luck” po ngarkon 20 500 tonë klinker për eksport
DURRËS, 27 nëntor 2014 – Të enjten, më 27 nëntor 2014, në portin më ta madh të vendit, ndodheshin në përpunim 5 anije mallrash, njoftoi zëdhënësi i sapoemëruar i drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës, kolegu Gëzim Kabashi.
Në portin e Durrësit po përpunohen më 27 nëntor 2014 pesë anije me rreth 30 mijë tonë mallra të ndryshme. Reshjet lokale të mëngjesit nuk e kanë penguar procesin e përpunimit. Në kalatat 1 dhe 11, në anijet “Edro IV” dhe transportuesi gjigant i mallrave rinfuso “Sider Luck” po ngarkohen përkatësisht 2 600 tonë çimento dhe 20 500 tonë klinker për eksport. Ndërkaq nga “Frojdi III” po shkarkohen 1 346 tonë gëlqere e paketuar në thasë të mëdhenj. “Tera” po shkarkon 2.921 tonë llamarinë dhe të njëjtit proces po i nënshtrohet edhe anija “Princess Maria”, nga e cila po shkarkohen 3 200 tonë skrap
Të 5 anijet janë bregëzuar në orë të ndryshme të ditës së mërkurë, 26 nëntor 2014, dhe procesi i përpunimit vijon normalisht. Anijet “Princes Maria” dhe “Tera”, fill pas shkarkimit, do të fillojnë procesin e ngarkimit, përkatësisht me 5 700 tonë çimento me paleta dhe 2 940 tonë lidhje prokatesh.
Aktualisht në radë nuk ka asnjë anije, ndërsa gjatë orëve dhe ditëve në vazhdim pritet të mbërrijnë edhe 4 anije të tjera. Nga të dhënat paraprake anija “RZK Constanta” do të ngarkojë 7 mijë tonë prokate, ndërsa anijet “Medazov Rosa”, “Erdogan Senkaya” dhe “Patricia Rickmer”s do të shkarkojnë përkatësisht 105 kontejnerë, 2 123 tonë grurë dhe 560 kontejnerë.
Gjatë periudhës janar-tetor janë përpunuar 3 milionë e 156 mijë tonë mallra gjithsej, tha Kabashi.
Info / Ngjarje për portin: transportuesi i rinfusove “Sider Luck”
Nisur nga Ravena e Italisë më 24 nëntor 2014, ora 19:25; mbërritur në Durrës më 26 nëntor 2014, ora08:26. Tonazhi: 25 056 tonë. Gjatësi × gjerësi: 157.2 m × 26.8 m. Shpejtësia: 13.1 / 12.3 nyja. Viti i ndërtimit: 2012. Ndërtues: “Yamanishi Shipbuilding & Iron Works”, Japoni. Flamuri: Panama. Shoqëria klasifikuese: “Bureau Veritas”. Menaxher & pronar: “Navigest Trust Services & Shipmanagement”, Zvicwr.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





