58 fëmijë jetimë dhe të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës në Durrës, u ndihmuan në këtë prag fillim viti shkollor nga Qendra Humanitare “Edel”.
Për jetimët ishin përgatitur pako surprizë me komplete sportive, atlete, çanta dhe plot dhurata, të mundësuara falë kontributit të dhënë nga disa qytetarë dhe biznese, që ushtrojnë aktivitetin në qytetin bregdetar.
Me këtë rast u organizua një aktivitet bamirësie në Qendrën Kulturore Durrës, ku të pranishëm ishin deputeti Jurgis Çyrbja, Drejtori i Arsimit dhe Kulturës në bashki, Ardian Gurra, këshilltarë bashkiakë nga forca të ndryshme politike etj.
” Ky fillim i vitit shkollor sjell me vete një dritë të re për fëmijët tanë, të cilëve u urojmë një vit të mbarë dhe plot suksese! Aktivitetet si ky na kujtojnë rëndësinë e të qenit të bashkuar dhe të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit, duke përhapur dashuri, mirësi dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”,- shkruan ndër të tjera në postimin e saj qendra “Edel”.