·        REKORDET / Klean Sadikllari dhe Renato Taçe bënë 4 thyerje shtëpish vetëm më 28 nëntor, nga 2 të tilla më 25 nëntor dhe 5 dhjetor

DURRËS, 7 dhjetor 2014 –  Më së fundi kapen dy “Arsenë Lupenë” enigmatikë, të cilët dyshohen se ka kryer 20 thyerje shtëpish në 14 ditë duke vjedhur çfarë të gjenin, sidomos biçikleta dhe motoçikleta, vegla pune, por që nuk iu bënin naze as rakisë dhe kazanëve për zierje të ujit të bekuar.  

Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut bëri të ditur se të dielën, më 7 dhjetor 2014 ora 22.00, blutë bregdetare përfunduan operacionin “Skolinat”, ku u ndaluan Klean Sadikllari, 22 vjeç, dhe Renato Taçe 26 vjeç, të dy banues Durrës, sepse në bashkëpunim me njëri tjetrin në periudhën shtator-nëntor 2014 kanë vjedhur me thyerje 20 banesa.

Më 7 dhjetor, 20 durrsakë kallëzojnë në polici “xhapjen” kryesisht të veglave të punës (2 trapanë, 5 gurë fresibël, prerëse pllakash, matrapik, pompë për lyerje, etj.), por edhe të kazanëve e bidonëve me raki, deri dhe të 5 biçikletave dhe 2 motoçikletave.

Bie në sy se dyshja e prangosur ka pasur dhe kulme në veprimtarinë e tyre: kështu më 28 nëntor 102-vjetorin e Pavarësisë e “festuan” me 4 vjedhje banesash duke marrë 2 trapanë, 1  fresibël, një biçikletë, plot sende të tjera, dhe, si për t’i vënë “kapak”, edhe një kazan rakie! Kurse më 25 nëntor dhe 5 dhjetor arritën të “bëjnë” nga dy banesa në secilën datë.

“Dyrrah”-u ka bërë grupimin e veprave penale në rend kronologjik.

Info

Shtator-tetor: vetëm 2 vjedhje në 2 muaj / ditë

Më datë 10.9.2014 banesën e shtetasit M. T., 63 vjeç, banues në Durrës, ku kanë marrë vegla pune dhe disa sende të tjera. Më datë 10.10.2013 banesën e shtetasit  R. B., 64 vjeç.

Nëntor: 12 vjedhje në 7 ditë

Më datë 10.11.2014 banesën e shtetasit D. A., 56 vjeç, ku kanë marrë 1 biçikletë dhe disa sende të tjera. Më datë 15.11.2014 banesën e shtetasit A. K., 35 vjeç, ku kanë marrë 1 matrapik, 2 fresibëla dhe disa sende të tjera. Më datë 20.11.2014 banesën e shtetasit E. Ç., 39 vjeç, ku kanë marrë 1 motoçikletë dhe disa sende të tjera. Më datë 20.11.2014 banesën e shtetasit Y. M., 43 vjeç, ku kanë marrë 1 fresibël, 1 prerëse pllakash dhe disa sende të tjera. Më datë 22.11.2014 banesën e shtetasit U. P., 39 vjeç, ku kanë marrë 4 bidonë me raki dhe disa sende të tjera. Më datë 25.11.2014 me thyerje banesën e shtetasit M. A., 28 vjeç, ku kanë marrë disa vegla pune e sende të tjera. Më datë 25.11.2014 banesën e shtetasit B. GJ., 38 vjeç, banues në Durrës, ku kanë marrë 1 gur fresibël dhe disa sende të tjera. Më datë 28.11.2014 banesën e shtetasit E. S., 59 vjeç, ku kanë marrë 2 trapanë dhe disa sende të tjera. Më datë 28.11.2014 banesën e shtetases R. H., 50 vjeç, ku kanë marrë 1 fresibël dhe disa sende të tjera. Më datë 28.11.2014 banesën e shtetases N. Q., 26 vjeç, ku kanë marrë 1 biçikletë dhe disa sende të tjera. Më datë 28.11.2014 banesën e shtetasit N. P., 48 vjeç, ku kanë marrë 1 kazan rakie dhe disa sende të tjera. Më datë 29.11.2014 banesën e shtetasit I. M., 48 vjeç, ku kanë marrë 1 biçikletë dhe disa sende të tjera.

Dhjetor: 6 vjedhje në 5 ditë

Më datë 2.12.2014 banesën e shtetasit XH. S., 31 vjeç, ku kanë marrë një motoçikletë dhe disa sende të tjera. Më datë 3.12.2014 banesën e shtetasit N. L., 47 vjeç, ku kanë marrë 2 freza dhe disa sende të tjera. Më datë 4.12.2014 banesën e shtetasit E. GJ., 26 vjeç, ku kanë marrë 1 biçikletë dhe disa sende të tjera. Më datë 5.12.2014 banesën e shtetasit H. K., 64 vjeç, ku kanë marrë 1 kazan rakie dhe disa sende të tjera. Më datë 5.12.2014 banesën e shtetasit LL. ZH., 70 vjeç, ku kanë marrë 1 kazan rakie dhe disa sende të tjera. Më datë 6.12.2014 banesën e shtetasit M. Xh., 31 vjeç, ku kanë marrë 1 pompë për lyerje dhe disa sende të tjera.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/