• Shifra të frikshme në matjet e bëra në 1 200 nxënës të moshave 6-18 vjeç, kur të rriten rrezikohen nga dy tipat e diabetit, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare
DURRËS, 10 nëntor 2014 – Numër në rritje i fëmijëve dhe adoleshentëve obezë në qytetin bregdetar, alarmin e japin një grup mjekësh dhe specialistësh të QSUT “Nënë Tereza” Tiranë dhe të spitalit rajonal të Durrësit.
Janë diagnostikuar më tepër fëmijë obezë me diabet të tipit 1, janë dyfishuar raste të reja me diabet fëmijëror të tipit 2 .
Fëmijët obezë janë kanë më shumë gjasa të bëhen të rritur obezë, që do të rezultojnë me rritje të rrezikut për t’u prekur drejtpërdrejtë nga diabeti i tipit 2, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare.
Mjekët Manjolë Çarçani, Spartak Çarçani, Mimozë Keçi, Florian Toti dhe Vjollcë Cara studiuan në Durrës 1 200 fëmijë dhe të adoleshentë të moshës 6-18 vjeç (640 femra e 560 meshkuj).
Nxënësve u janë matur pesha, lartësia dhe llogaritur indeksi në përqindje i masës trupore BMIp [body mass index percentile].
Ata iu përgjigjën pyetjeve mbi mënyrën e të ushqyerit, aktivitetit fizik, orët para ekranit, historive familjare për diabet.
U ndanë në 2 grupmosha: 6-11vjeç, 12-18 vjeç.
Mes 6-11vjeçarëve, 250 ishin femra, 30 (12 për qind) prej tyre ishin mbipeshë (BMIp 85-95), 15 (6 për qind) obeze (BMIp> 95).
Në grupin prej 12-18-vjeçarësh, ndër 390 femra, 70 (17,95 për qind) prej tyre ishin mbipeshë, 25 (6.4 për qind) obeze.
Mes 340 adoleshentëve meshkuj, 110 (32,36 për qind) prej tyre dolën mbipeshë, 25 (7,35 për qind) obezë.
Nga pyetësori doli se fëmijët obezë konsumonin ushqime dhe pije të pasura me më shumë karbohidrate e sheqer si dhe produkte fast-fudesh.
Shumica e këtyre fëmijëve kalonin më shumë se 4 orë para ekranit.
Është shqetësuese prevalenca në rritje e fëmijëve dhe adoleshentëve mbipeshë dhe obezë dhe rreziqeve shëndetësore.
Rekomandohet kufizimi i pijeve të ëmbla dhe fast-fudeve, angazhimi në aktivitet fizik, ulje e kohëqëndrimit para ekranit.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





