·      29 shtator, Dita botërore e sëmundjeve të zemrës /Thirrje: kujdes me stilin e jetesës, mënyrën e ushqyerjes apo aktivitetin fizik

DURRËS, 29 shtator 2014 –  Ndonëse zemra prek, më së shumti, moshat 50-80 vjeç, vitet e fundit vihet re një ulje e moshës së pacientëve, pasi janë hasur edhe me 23-vjeçarë me sëmundje koronare, thotë shefi i shërbimit të kardiologjisë në spitalin rajonal publik të Durrësit Dr. i Shkencave Mjekësore Sotir Xhunga.

Më 29 shtator, Ditën botërore të sëmundjeve të zemrës, mjekët bëjnë thirrje për kujdes me stilin e jetesës, mënyrën e ushqyerjes apo aktivitetin fizik.

Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë jo vetëm si sëmundjeshmëri, por edhe si shkak për humbjen e jetës në vend.

Dr. Xhunga thekson se në spitalin e Durrësit më shumë hasen sëmundjet ishemike, infarkti i miokardit, angjina e paqëndrueshme dhe insuficienca kardiake.

Sipas tij, rritja e numrit të të prekurve nga sëmundjet e zemrës në mosha të mëdha lidhet me rritjen e moshës mesatare dhe me faktin që shumica e tyre janë të sëmurë kronikë, të cilët neglizhojnë mjekimet.

Faktorët që favorizojnë infarktin janë hipertensioni, diabeti, sëmundjet e veshkave, përdorimi tej normave i alkoolit etj.

Ndërsa te femrat kjo lidhet edhe me shtimin e duhanpirjes.

Info

Shërbimi i kardiologjisë në spitalin rajonal publik përfshin reanimacionin e kardiologjisë, kabinetin e provës ushtrimore dhe kabinetin e konsultave.

Në klinikën kardiologjike kryhet diagnostikimi mjekësor dhe trajtimi i sëmundjeve të arterieve koronare, insuficiencës së zemrës, sëmundjeve valvulare të zemrës, çrregullimeve të ritmit dhe hipertensionit arterial.

Klinika ka ambientin e ECHO-s kardiake për ekzaminimin e pacientëve.

Rastet e trajtuara nga mjeku kardiolog mund të plotësohet me ekzaminime të tjera si EKG, ECHO kardiake apo ekzaminime imazherike dhe analiza gjaku.

Në shërbimin e kardiologjisë punojnë 4 mjekë specialistë kardiologë që mbulojnë aktivitetin e klinikës për të gjitha rastet e paraqitura si dhe ka shërbim mjeku roje 24 orë.

Gjithashtu këta mjekë kryejnë edhe konsultat ambulatore në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/