· U kujtuan të shkojnë te mjeku kur kanë qenë në fazën e dytë dhe të tretë të sëmundjes
· Në 18 ditë të tetorit 2014, në 180 ekzaminime, asnjë rast pozitiv, ja pse femrat duhet të harxhojnë vetëm një çerek ore analizë në spitalin publik
DURRËS, 19 tetor 2014 – Po të kishin ardhur më herët për mamografi dhe jo në fazën e dytë dhe të tretë të sëmundjes nuk do të ndodhte që do të rezultonin pozitiv me kancer gjiri 155 gra nga 434 të ekzaminuara gjatë 9-mujorit, kurse në 18 ditë të tetorit 2014, fatmirësisht në 180 ekzaminime (kryesisht arsimtare) nuk pati asnjë rast pozitiv.
Vetëm 15 minuta dhe mamografia zbulon në faza të hershme kancerin e gjirit, atëherë kur shenjat nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë.
Mamografia e kap kancerin që kur është me mm, të paktën 2-3vjet para se të shfaqen shenjat.
Mamografia është një ekzaminim radiografik, që përdor rreze X, por në doza të vogla të padëmshme për njeriun.
Ajo shkakton një dhimbje shumë të lehtë, pasi kryhet shtypja e gjirit në aparaturë, por absolutisht e durueshme.
Në Spitalin Rajonal të Durrësit ka një fluks të lartë kërkesash për kryerjen e mamografisë.
Stafi po punon me kapacitet të plotë.
Drejtorja e spitalit rajonal publik të Durrësit, znj. Ardioë Frashëri, thotë se kanë qenë gra të moshave të ndryshme të cilat i janë nënshtruar procesit të ekzaminimit të gjirit dhe bën të ditur se gjatë tetorit reparti i mamografisë ka punuar nga mëngjesi deri në orën 22.00 të mbrëmjes duke përfshirë edhe ditët e shtuna.
Znj. Frashëri deklaon për mediet:
“Ka një rritje të ndërgjegjësimit të grave. Ne kemi një numër në rritje të ekzaminimeve si te arsimtaret, për të cilat jemi lidhur me drejtorinë arsimore të rajonit të Durrësit. Ka ditë që ka arritur deri në 30 mamografi në ditë. Kemi një numër afërsisht 180 mamografi nga fillimi i këtij muaji. Nga fillimi i tetorit nuk ka pasur asnjë rast pozitiv, ndonëse në mujat e mëparshëm të vitit 2014 kanë kryer mamografi të gjirit 434 gra, prej të cilave 155 kanë rezultuar pozitive. Këto raste kanë qenë në fazën e dytë dhe të tretë të sëmundjes. Gjatë këtij viti do të mundësohet që në spitalin e Durrësit të kryhen edhe analizat e kancerit të gjirit dhe të qafës se mitrës që deri më sot kryhen në Tiranë”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





