DURRËS, 11 nëntor 2014 – Është një fakt tejet domethënës që një nëndetëseje turke i rezervohet një pritje tejet e ngrohtë që nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, zëvendësministri i Mbrojtjes, komandanti i marinës së Plepave, krerët e pushtetit vendor dhe rajonal të Durrësit.
Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u, në zbatim të programit të bashkëpunimit me Republikën e Turqisë më 9 nëntor 2014, mbërriti për një vizitë në portin e Durrësit nëndetësja e flotës turke “TCG SAKARYA”.
Në ditën e dytë të qëndrimit, më 10 nëntor 2014, komandanti i nëndetëses turke, kapiten i rangut II Alper Topuz, i shoqëruar nga kuadrot kryesorë të nëndetëses dhe zëvendësatasheu i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Raif Sarica, zhvilluan disa vizita sipas programit.
Fillimisht, ata vizituan komandën e Forcës Detare në Plepa, ku u pritën nga komandanti gjeneral brigade Qemal Shkurti.
Gjatë takimit u nënvizua bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak midis dy ushtrive dhe Flotave tona, si dhe domosdoshmëria e thellimit të këtij bashkëpunimi në fushën e arsimimit e trajnimit të kuadrove tanë oficer dhe nënoficer, si dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Më pas ushtarakët turq kryen vizita në bashkinë e Durrësit, ku u pritën nga kryetari i saj z. Vangjush Dako, në Prefekturën e qytetit, ku u pritën nga prefekti, z. Rolant Xhelilaj dhe këshillin e qarkut Durrës, ku u pritën nga kryetari z. Alfred Mullaj.
Gjatë këtyre takimeve u nënvizua tradita miqësore midis dy popujve tanë, fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve veç atij ushtarak dhe thellimi i këtij bashkëpunimi në turizëm, ku mundësitë janë më të mëdha.
Ndërkohë në mesditë, krahas personaliteteve vendore e qendrore të qytetit të Durrësit, nëndetësen turke e vizitoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Dritan Hila, ambasadori i Republikës së Turqisë, zoti Hidayet Bayraktar, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, kapiteni i portit të Durrësit, z. Admir Sulaj, etj.
Më datën 11 nëntor, ekuipazhi kreu vizita të ndryshme historiko-kulturore në qytetin e Durrësit dhe Krujës dhe aktivitete të përbashkëta me personelin e Forcës Detare.
Paraditen e datës 12 nëntor, nëndetësja turke “TCG SAKARYA” do largohet nga porti i Durrësi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





