· 89 operacione kundër trafikut të drogës, personave dhe armëve; 34 kërkim-shpëtimi, 31 kundër peshkimit të paligjshëm
DURRËS, 24 janar 2015 – Paraditen e së premtes, më 23 janar 2014, në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Plepa të Durrësit u zhvillua analiza e vitit 2014. Në analizë morën pjesë drejtues e përfaqësues të dikastereve e institucioneve përbërëse të kësaj qendre si ministritë e Mbrojtjes; Punëve të Brendshme; Transportit e Infrastrukturës; Financës; Bujqësisë,Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ajo e Mjedisit, ICITAP-it, Pentagonit, Rojës italiane të Financës.
KONTROLLI I HAPËSIRËS DETARE DHE RRITJA E SIGURISË NË TË
Drejtori i QNOD-it gjeneralmajor (R) Maksim Malaj tha ndër të tjera:
“Në përputhje me strategjinë kombëtare të menaxhimit të kufirit, gjatë vitit 2014, me vënien në gatishmëri të sistemit të vëzhgimit detar nga Forca Detare, janë shtuar kapacitetet mbikëqyrëse dhe operacionale të qendrës, si dhe është rritur efektiviteti ndaj aktiviteteve kriminale në det. Kështu nga personeli dhe mjetet e institucioneve përkatës janë zhvilluar 89 operacione kundër trafikut të drogës, personave dhe armëve, 34 operacione kërkim-shpëtimi dhe 31 operacione kundër peshkimit të paligjshëm. Kjo tregon se prania e shtetit shqiptar në kontrollin e hapësirës detare dhe rritja e sigurisë në të po rritet nga viti në vit. Arritja e këtyre rezultateve është bërë e mundur, jo vetëm nga përmirësimi i teknologjisë e aparaturave në përdorim, por dhe përpjekjet e vazhdueshme për aftësimin e personelit të gjithë strukturave pjesëmarrëse. Në përgatitjen e personelit ka ndihmuar dhe asistenca e ICITAP-it, PAMECA-s IV; stërvitjet e kryera me Flotën VI Amerikane, qendrën e simulimit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ministrinë e Mbrojtjes, qendrën homologe të Malit të Zi, etj”.
Në vijim u trajtuan probleme të gatishmërisë teknike të sistemeve, realizimit të buxhetit dhe sfidat e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional e rajonal të QNOD-it.
Komandanti i Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti përmendi:
“Në krahasim me vitin 2013, prania e Rojës Bregdetare ka qenë më e madhe gjatë 2014-ës. Shtrohet si domosdoshmëri ndëshkimi për shkelësit e ligjit, vjelja e taksave, ngritja e ekipeve të përbashkëta me policinë kufitare, peshkimin dhe antikontrabandën gjatë patrullimeve, përmirësimi i kuadrit ligjor për eliminimin e mbivendosjes me Ligjin e Rojës Bregdetare, etj. Është gjë pozitive vendosja si praktikë e metodë pune e analizës së ngjarjeve dhe nxjerrja e përgjegjësive individuale dhe kolektive. Një rast i tillë ishte analiza që iu bë fatkeqësisë detare të tragetit “Norman Atlantic”. Gjatë vitit 2015 Roja Bregdetare ka mbështetjen e nevojshme logjistike për të përballuar çdo operacion në det”.
MUNGON EKIPI PERMANENT PËR ÇDO EMERGJENCË DETARE
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri theksoi domosdoshmërinë e saktësimit të kompetencave të drejtuesit të këtij institucioni. Ka mungesë burimesh njerëzore për praninë e Kapitanerisë së porteve në QNOD, është i nevojshëm përmirësimi i bazës materiale, pasja e një ekipi permanent për çdo emergjencë detare, i cili të ketë dhe mjete riparuese për mjetin e aksidentuar. Aktualisht vendit tonë i mungon një hallkë e tillë. Ka një problem konceptual në trajtimin e kësaj çështjeje, që lidhet me ndryshimin e një emergjence tokësore nga ajo detare. Kuptohet që një njëri me këmbë në det me atë me një këmbë në tokë, nuk mund të krahasohet. Ndërsa është i nevojshëm përmirësimi i kuadrit ligjor, ku ne shpesh ngecemi. Mendoj se përdorimi i sistemit të rotacionit për drejtimin e QNOD-it do ishte më rezultativ në të ardhmen e QNOD-it.
KËRKOHET KULTURË PROFESIONALE E TË GJITHË AKTORËVE
Drejtori në Ministrinë e Financave Zamir Shtylla tha se kërkohet kulturë profesionale e të gjithë aktorëve në QNOD, shfrytëzim të bazës logjistike ekzistuese; besim reciprok në dhënien e shkëmbimin e informacionit, përfshi dhe vendet partnere, mënjanimin e dualitetit të pushteteve e ndjenjës së unit, vënia në lëvizje e çdo potenciali e mjeti institucional për rritjen e efektivitetit të QNOD-it etj. Tashmë QNOD-in duhet ta pranojmë të gjithë si strukturë dhe të bashkëveprojmë për ta fuqizuar atë. Përfaqësuesi në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit drejtues i parë Xhevahir Karaj mendon se duhet përmirësuar vëzhgimi në hapësirën detare, të eliminohen zonat e pambuluara, të ketë afrim sa më afër buzës së ujit dhe për mjete deri në 5 m gjatësi, gjë që kërkon teknologji të re. Sigurisht që dhe për këto komanda e Forcës Detare ka projekte në të ardhmen. Në lidhje me këtë çështje serioze, sepse pa zbulim s’ka asnjë operacion, mirë do të ishte që të vazhdonte bashkëpunimi me kompaninë “Lockheed Martin”, si për riparimin e sistemit aktual të vëzhgimit, ashtu dhe për zvogëlimin e rajoneve të pambuluara. Duhet përmirësuar radio-komunikimi për një bashkëpunim më të mirë gjatë operacioneve të përbashkëta me aktorët e tjerë”. Ilir Nako, specialist në Ministrinë e Mjedisit vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me QNOD-in dhe Rojën Bregdetare, si në parandalimin e eliminimin e ndotjeve në det, ashtu dhe për peshkimin e paligjshëm. Aktiviteti në këtë drejtim do shtohet në zbatim të planit kombëtar të mjedisit. Drejtori i Shërbimeve Peshkore dhe Akuakulturës në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Arjan Demiri përmendi aksionet e kryera për parandalimin e peshkimit të paligjshëm, vendosjen në gatishmëri të sistemit Bluebox, trajnimin e personelit për këto aparatura, etj. Komandanti i Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO) të Forcave të Armatosura kolonel Ahmet Leka mendon se qartësimi i linjës së komandim-kontrollit dhe saktësimi i pikave të kontaktit mes aktorëve ka rëndësi parësore në operacionet detare. Tashmë dhe helikopterët tanë janë pajisur me mjete shpëtimi dhe veshje për zhytësit. Shtrohet nevoja e planit kombëtar të kërkim-shpëtimit dhe marrëveshjes me tre fqinjët për zonat e përgjegjësisë, probleme të cilat ne i kemi trajtuar më parë në media
KONCEPTI REAGUES, PARANDALUES
Mark Stickevers, përfaqësues i ICITAP-it (International Criminal Investigative Training Assistance Program – Programi i Departamentit amerikan të Drejtësisë për Asistencën në Trajnimin për Hetimin Penal Ndërkombëtar):
“Vlerësoj punën e QNOD-it dhe përmirësimin e saj mbas vendosjes në gatishmëri të sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare. Duhet ta kemi të qartë se niveli aktual i QNOD-it është pasqyrë e nivelit të institucioneve që ju drejtoni. QNOD-i mbështetet mbi konceptin reagues, parandalues. Nëpërmjet zbulimit, informimit të vazhdueshëm, shfrytëzimit të kapaciteteve e aparaturave ekzistuese, shërbimeve inteligjente, njohjes dhe mbajtjes nën kontroll të situatës detare, është bërë i mundur ndalimi i mjeteve me shkelje ligjore. QNOD-i ka informacionin e nevojshëm për çdo situatë detare, për çdo mjet, kush hyn dhe kush del në ujërat shqiptare, kjo duhet fuqizuar me ato mjete që ka çdo institucion. Tashmë QNOD-i e ka një Vendim të Këshillit të Ministrave, mirë është që ta lexojë çdo drejtues institucioni dhe të zbatojë detyrimet. Natyrisht, edhe në të ardhmen bashkëpunimi i ICITAP-it do vazhdojë, në drejtim të trajnimeve, testeve praktike, shkëmbimin e informacionit, etj.”.
KUNDËRSHTAR I RI: TERRORISTËT
Kolonel Françesko (Francesco) Guarini komandant i Guardia di Financës (GdF) në Shqipëri tha:
“Kemi vite që bashkëpunojmë me institucionet tuaja, veçanërisht, kundër trafikut të drogës, një kundërshtar i vjetër ky. Është e nevojshme parandalimi i këtij trafiku që në tokë. Pastaj në det puna shtohet, se kundërshtari përdor të gjitha mjetet që nga ato 5 m gjatësi deri tek mjetet e peshkimit. Por tashmë kemi dhe një kundërshtar të ri, terroristët, ndaj në qoftë se nuk marrim masa, sistemi ynë dështon. Këto çështje kryesore u diskutuan dhe gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm italian në Shqipëri këto ditë. Marr shkas nga ngjarja me tragetin “Norman Atlantic”, ku në zyrat e kontrollit të vendeve tona fqinje, anëtare të BE-së, ka negligjenca në kontroll, e jo më pastaj në anije tregtare apo peshkimi. Të gjitha institucionet detare gjenden në një luftë të përhershme kundër trafikut dhe terroristëve, ndaj ne duhet të jemi bashkë dhe sy hapur”.
MËNYRA TË NDRYSHME PËR ZBUTJEN E EFEKTEVE BUXHETORE
Atasheu ushtarak amerikan kapiten i rangut II Ralf Shilld (Ralph Shield):
“Ju falënderoj për ftesën që më bëtë, për të marrë pjesë në këtë forum të veçantë të shtetit shqiptar, nënvizoi në vendin tonë. Është kënaqësi kur sheh përfaqësues të institucioneve të ndryshme të diskutojnë hapur për detyrat e misionin kryesor që ka të bëjë me sigurinë detare. Shumë gjëra lidhen me koston, por ka dhe mënyra të ndryshme për zbutjen e efekteve buxhetore. P.sh. sisteme të ndryshme komunikojnë me njëri-tjetrin, para se të mendosh të blesh një të ri. Sigurisht, ky institucion i ri ka nevojë për mbështetje e përmirësim legjislacioni, një proces që duhet të vazhdojë. Duke pasur një mision kompleks, QNOD-i ka vështirësitë e veta të drejtimit”.
PËR MARRËDHËNIE INSTITUCIONALE ME KRYEMINISTRIN
Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi tha:
“Para këtij takimi të parë u informova për rolin që ka QNOD-i, si institucion i rëndësishëm i shtetit shqiptar për sigurinë detare të njerëzve, mjeteve dhe mjedisit. Diskutimet e sinqerta, bashkëpunimi ndërinstitucional, ndihma dhe këshillat e partnerëve, sfidat e së ardhmes, janë domethënëse për këtë qendër. Mendoj se ka ardhur koha të shohim nga e ardhmja, së pari në institucionalizimin e mëtejshëm të qendrës; përmirësimin e Vendimit ekzistues të Këshillit të Ministrave, procesit të emërimit, vartësisë e përbërjes së QNOD-it. Zbatimi i regjimit dhe rregullave të informacionit, institucionalizimi i buxhetit e aseteve të QNOD-it, bashkëpunimi ndërministror dhe me partnerët, modernizimi i teknologjisë, por më parë të përdorim efektivisht atë që kemi, të jenë funksionale. Ndërkohë, si Ministri, po hedhim hapat e duhur për të krijuar marrëdhënie institucionale me kryeministrin, duke i dhënë zgjidhje ligjore këtij problemi. Shpreh besimin se të gjitha institucionet e QNOD-it do venë asetet dhe kontributet e tyre për të rritur sigurinë detare në vendin tonë si dhe luftën ndaj trafiqeve të ndryshme, krimit të organizuar dhe akteve terroriste”.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”, kontribuoi Shefqet Kërcelli/





