Duke nisur nga dita e enjte, tragetet e linjës Durrës-Bari nisin lundrimet e dyfishta për të përballuar fluksin në hyrje, në portin më të madh në vend.
Festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri përkojnë me kthimin në atdhe të mijëra emigrantëve. Për këtë arsye, autoritetet portuale kanë marrë masat për përpunimin sa më të shpejtë të pasagjerëve dhe automjeteve. Në total do të jenë 20 sportele për kontrollin e dokumenteve në terminalin e trageteve bëjnë të ditur për “DurrësLajm” burime nga Kapitaneria.
Në ndryshim nga muajt e verës, pritet një fluks më i vogël udhëtarësh i cili do të jetë i përqendruar në hyrje përgjatë 10-ditëshit të fundit të këtij viti, ndërkohë që ditët e para të janarit pritet të nisë fluksi në dalje, pasi emigrantët kthehen në vendet e tyre të punës, pas festave të kaluara në atdhe.
Rreth 770,000 pasagjerë dhe 265,000 automjete kanë udhëtuar nga/drejt portit të Durrësit në periudhën janar-nëntor.
Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës,768,807 pasagjerë janë regjistruar përgjatë 11 muajve ose në total 24,922 pasagjerë më shumë se 11 mujori i vitit paraardhës.
Ndërkohë, edhe transporti i automjeteve nëpërmjet trageteve ka reflektuar gjithashtu një rritje prej 18,373 automjetesh më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Tragetet gjatë periudhës janar-nëntor 2023 kanë kryer gjithsej 919 lundrime me linjat Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona dhe anasjelltas, duke kryer kështu 35 lundrime më shumë se e njejta periudhë e vitit 2022.
Po të njëjtat burime saktësojnë se ky 11 mujor reflekton një rritje në masën 3,3% sa i përket transportit të pasagjerëve me tragete në raport me janar-nëntorin e vitit të kaluar.
M.B.