Kryebashkiakja Emiriana Sako ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e institucioneve të Durrësit, Zyra Vendore Arsimore, Spitali Rajonal Durrës, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, Drejtoria e Policisë, Drejtoria Rajonale Vendore për Punësim dhe Aftësim dhe Qendra Rajonale e Formimit Profesional.

Në këtë tryezë të përbashkët u ngrit Komiteti Drejtues për Hartimin e Planit Social Vendor 2024-2027 për Bashkinë Durrës.

Sako thekson se ky plan është një hap kyç për adresimin e sfidave sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë.

Plani Social Vendor do të hartohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Ky Plan Social Vendor do të publikohet nëpërmjet Asistencës Teknike “Mbështetjes së Bashkimit Evropian për Përfshirjen Sociale në Shqipëri” (EU4SI), të dhënë nga Bashkimi Evropian për Bashkinë e Durrësit zbatuar nga GOPA Worldwide Consultants.