DURRËS, 22 tetor 2014 – Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Durrës sha ka nisur procesin e përditësimit për të gjithë klientët e tij, njoftoi zëdhënësi Aleks Kalemasi.
40 persona kanë filluar punën në terren, pasi më parë kanë lidhur kontratë 6-mujore me UKD-në për këtë qëllim.
Personat në fjalë janë trajnuar nga stafi i UKD-së dhe tashmë po merren me verifikimin e të dhënave për të gjithë abonentët.
Qëllimi i këtij procesi është krijimi i një databaze me të dhëna të sakta për klientët, e cila do t’i shërbejë midis të tjerash edhe Bankës Botërore për të parë gjendjen e klientëve si dhe rrjetin shpërndarës të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.
Ky proces zhvillohet para investimit të pritshëm për ndërtimin e një rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Durrësit, financimi i të cilit është marrë përsipër nga Banka Botërore.
Po ashtu ky proces i shërben edhe vetë UKD-së për të pasur të dhëna të sakta për të gjithë personat që marrin shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të zeza.
Pyetësori, që plotësohet me të dhënat e çdo klienti, përmban pyetje të tipit: nëse e merr shërbimin e furnizimit me ujë ose jo; lloji i klientit që kontaktohet (familjar, privat, ente); lloji i furnizimit (ujë, ose kanalizime, ose të dyja); mënyra e matjes (me matës, apo aforfe si dhe gjendja teknike e matësit); pika e lidhjes dhe lloji; ndarja administrative e shërbimit të UKD; identifikimi i adresë së saktë; identifikimi i pronës.
Në total do të verifikohen 73 mijë klientë aktive që marrin shërbimet nga UKD. Puna për këtë proces ka filluar para dy muajsh dhe pritet të zgjasë 6 muaj në total.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





