Durrës, 31 korrik 2014 – Pesë tragete me udhëtarë dhe automjete kanë mbërritur sot paradite nga Bari në portin e Durrësit, ndërkohë që pasdite priten edhe dy tragete të tjerë nga Ankona dhe Brindizi, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga drejtoria rajonale e kufirit dhe migracionit.

Sipas burimeve, tragetet që kanë mbërritur nga ora 9.00-11.00 kanë sjellë në Durrës 4500 udhëtarë dhe 910 automjete, ndërsa pritet që brenda ditës ky numër të arrijë në 6500 udhëtarë gjithsej. Shumica e udhëtarëve që shfrytëzojnë tragetet nga Bari, Brindizi, Ankona dhe Trieste janë bashkëatdhëtarë që vijnë për të kaluar pushimet pranë familjeve.

“Koha e përpunimit të tyre në terminalin e trageteve është mjaft e shkurtër, falë numrit të lartë të sporteleve, 34 gjithsej”,- thanë burimet e policisw, sipas të cilave një pjesë e udhëtarëve vijojnë udhëtimin me automjete drejt qyteteve të tjera në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

“Fluksi i udhëtarëve me tragete është rritur që nga mesi i muajit korrik me një ritëm prej 4000-6000 udhëtarë në ditë”, – përfunduan burimet e policisë së kufirit.

/ata/