Dollapi: Energji pa ndërprerje për zonat turistike

DURRES, 14 maj 2013- Zonat turistike të Durrësit e Kavajës, do të furnizohen me 24 orë energji pa ndërprerje përgjatë sezonit turistik. Garancia vjen nga Administratori i CEZ Shperndarje, Sahit Dollapi, i pranishëm në fillimin e punimeve për shtrirjen e rrjetit 20 kv në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Invetimi me vlerë 500 milion lekë, i cili pritet të përmbyllet në muajin qershor, sipas Dollapit do të garantojë një sezon normal turistik për mijëra biznese e familje në këtë zonë turistike.

"Investimi në zonën e Shkëmbit të Kavajës është i domosdoshëm për një sezon normal turistik. Janë me mijëra biznese, me mijëra familje që kanë në këtë zonë një shtëpi pushimi,si dhe janë me qindra e mijëra pushues të cilët janë përfitues direkt nga ky investim. Ju premtoj se investimi do të jets i përfunduar deri në qershor dhe nisja reale e sezonit turistik do ta gjejë të gjithë këtë zonë të bregdetit me infrastrukture shumë të mirë të furnizimit me energji elektrike", tha Dollapi në fjalën e tij. 

Ndërkaq administratori i CEZ Shpërndarje Sahit Dollapi, i është përgjigjur interesit të mediave në lidhje me faljes e kamatvonesave,faturave të papaguara, dhe rritjes së energjisë elektrike, duke i cilësuar si spekullime mediatike, që dalin në një pjesë të shtypit sa herë që ka fushate elektorale.

"Së pari, nuk ka asnjë të vërtetë që çmimi i energjisë do të rritet. Ky tani është një vendim i marrë nga Enti Rregullator. Së dyti, dua të hedh poshtë si plotësisht të pavërtete lajmin e rreme që po qarkullon këto ditë në shtypin e shkruar për amnisti për ata që nuk kanë paguar. Kjoështë plotësisht e pavertete dhe një informacion dashakeq që del në një pjesë të shtypit sa herë ka fushate elektorale", deklaroi Dollapi.

Ndërkaq për të gjithë depitorët Dollapi, paralajmëroi se nuk ka falje as për faturat e papaguara, as për kamatvonesat.

"U bëj thirrje qytetarëve të mos bien prë e këtyre trillimeve dashakeqe, por të paguajnë në kohë faturën e energjisë. Sa më shumë vonohen, aq me shume do të paguajnë dhe në rastin më të keq do t'u ndërpritet energjia si debitore"- përfundoi fjalën e tij Dollapi.

Ky investim i nisur në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, sipas Dollapit do të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim garantimin e furnizimit me 24 orë energji pa ndërprerje për të gjithë qytetarët, vetëm në rast avarie.

/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/