Nisi sot aksioni i Policisë Bashkiake Durrës për largimin e automjeteve të braktisura.

Ashtu siç ishte njoftuar ditë më parë drejtuesi i kësaj Policie, Realdo Vrioni, paraditen e kësaj të premteje nisi spostimi i 4 mjeteve të para, për të cilat është plotësuar afati 10-ditor, pas të cilit, nëse drejtuesit e mjeteve nuk do t’i largonin vetë nga rruga, do të ndërhynin me karrotrec efektivët e Policisë Bashkiake.

Aksioni do të shtrihet në disa ditë, derisa të largohen nga rruga të gjitha mjetet e braktisura, të cilat zënë vende parkimi publik prej muajsh e madje dhe vitesh.

Vrioni bën të ditur se, që nga momenti i njoftimit të këtij aksioni, 4 mjete janë larguar vetë nga pronarët e tyre.

“Janë konstatuar rreth 30 mjete të braktisura. Gjatë këtyre ditëve do t’i largojmë me karrotrec drejt pikës së bllokimit. 4 prej tyre janë hequr vetë nga pronarët e tyre. Për të tjerat që nuk do të largohen gjatë afatit 10 ditor do të ndërhyjmë ne”– tha Vrioni.

Por ky nuk është aksioni i vetëm i Policisë Bashkiake, pasi në ditët në vazhdim pritet një ndërhyrje e radhës përsa i përket automjeteve me tabelën “Shitet”.

M.B.