Pas situatës kritike të krijuar në kantierin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” nga shpërthimi i ujërave të zeza, ka nisur ndërhyrja për largimin e tyre paraditen e sotme.

Një autobot i Ujësjellës Kanalizimeve Durrës u fut në kantier dhe nisi punën për zhbllokimin e pusetave të bllokuara. Kjo është hera e parë, pas disa muajsh, që mjetet e rënda rikthehen në kantierin, ku punimet ishin ndërprerë që në muajin tetor 2023.

Një ditë më parë, bashkia Durrës ka firmosur kontratën me arkeologun Luan Përzhita, i cili do të realizojë gërmimet arkeologjike në kantier.

“DurrësLajm” mëson se të mërkurën, kantieri është inspektuar nga përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, UNDP, bashkia Durrës dhe Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve.

Largimi i ujërave të zeza dhe sistemimi i rrjetit të kanalizimeve mbetet ndërhyrja primare për t’u kryer dhe më pas do të vijohet me gërmimet arkeologjike që kanë për qëllim të zbulojnë tërësisht mozaikun me figura gjeometrike dhe floreale, si dhe të tjera artefakte që nëntoka e kësaj zone mund të fshehë.

I gjithë procesi do të udhëhiqet dhe mbikqyret nga arkeologu Përzhita, i cili pak muaj më parë zbuloi mozaikun që mendohet se i përket një vile antike pranë amfiteatrit.

Bashkia Durrës ka akorduar rreth 13 milionë lekë për gërmimet që parashikohet të zgjasin 2 muaj. Ato do të kryhen deri në thellësinë 6.75 m.

Vetëm pas përfundimit të gërmimeve dhe dokumentimit të të gjitha gjetjeve, do të vendoset për fatin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, e shembur për shkak të dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

M.B.