Pas denoncimit të një qytetari nga Durrësi, më datë 9 qershor, për situatën e rëndë mjedisore të krijuar në gropën e hapur pas shembjes së pallatit 13-katësh, në lagjen nr.17, ka ardhur reagimi i autoriteteve.

Paraditen e sotme, ka nisur largimi i ujit nga gropa e themeleve, i cili ishte kthyer në burim ndotjeje mjedisore dhe njëkohësisht strehë për qindra bretkosa.

Deri dy ditë më parë, siç e dëshmoi “DurrësLajm” me pamje filmike, bretkosat kishin “pushtuar” gropën e pallatit të Kastratit, por shumë banorë shprehnin shqetësimin se ato kishin nisur të lëiznin edhe në hapësirat rreth e rrotull, duke u futur deri në pallate. Ndotja e lartë ambientale dhe prania e shumtë e bretkosave të krijonte idenë se nuk bëhej fjalë për një lagje të rëndësishme të Durrësit, por për një zonë të harruar.